Mbrojtje për refugjatët e luftës! KE: Statusi për ukrainasit në vendet e BE të zgjatet deri në 2027-ën
Mbrojtja e përkohshme për ukrainasit në vendet e BE-së zgjatet deri në vitin 2027. Komisioni Evropian propozon zgjatjen e statusit të mbrojtjes për refugjatët ukrainas deri në vitin 2027, për shkak të luftës me Rusinë. Ndërkohë, BE po përgatitet edhe për kthimin e tyre të sigurt kur kushtet ta lejojnë
Statusi i refugjatit të mbrojtur të ukrainasve në Bashkimin Evropian duhet të zgjatet deri në vitin 2027, propozoi Komisioni Evropian nën sfondin e luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë
Shtetet anëtare mund ta miratojnë propozimin në një takim javën e ardhshme.
Statusi i refugjatëve ukrainas aktualisht rregullohet nga Direktiva e BE-së për Mbrojtje të Përkohshme.
Ata nuk duhet të kalojnë nëpër procedurat e zakonshme të azilit dhe kanë qasje relativisht të mirë në tregun e punës dhe përfitimet sociale.
Sipas komisionit, mbi 4,3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina në Bashkimin Evropian që nga fillimi i luftës. Gjermania ka pranuar numrin më të madh të refugjatëve, me mbi 1,2 milionë.
“Shtetet anëtare duhet të përgatiten gjithashtu për një kohë kur refugjatët ukrainas do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi”, tha komisioni.
Qeveritë duhet të sigurohen që ka perspektiva të tjera për shtetasit ukrainas, si në formën e vizave të punës ose të studentëve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE do ta mbështesë Ukrainën për “për aq kohë sa të duhet”.
“Ne gjithashtu po i mbështesim ukrainasit në zgjedhjet e tyre dhe po hapim rrugën për kthimin e tyre të sigurt në shtëpi”, theksoi ajo.
Ndërkohë Komisioneri evropian për punët e brendshme dhe migracionin, njoftoi krijimin e një të dërguari special të BE-së për ukrainasit.
Ai tha se statusi i mbrojtjes së përkohshme për shtetasit ukrainas mund të përfundojë gjithashtu para marsit 2027, në rast të një armëpushimi të qëndrueshëm.
Në një konferencë për shtyp, zëvendëskryeministri ukrainas i nxiti ukrainasit të kthehen në atdheun e tyre sapo kushtet ta lejojnë.
“Ata janë shumë të nevojshëm në tregun e punës për të ndërtuar një ekonomi të re dhe të fortë”, argumentoi ai.


