Malaj: Parlamenti duhet të funksionojë. Përgjegjësia jonë ndaj qytetarëve është e madhe

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, i ftuar në studion e "Ora News", u shpreh se ndjen një përgjegjësi të madhe për mandatin e ardhshëm dhe theksoi rëndësinë e funksionalitetit të Parlamentit për të çuar përpara kauzat në shërbim të qytetarëve.

"Ndihem shumë mirë, qoftë për vlerësimin nga ana e Partisë Socialiste përsa i përket të qënit pjesë e listës së kandidatëve duke mos qenë më parë pjesë e strukturave të Partisë socialiste po unë vi nga Universiteti i Tiranës, por edhe për mbështetjen e madhe që morëm të gjithë bashkë si ekip, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë vendin.

Përgjegjësia sigurisht që është e madhe, është një përgjegjësi që unë e kam ndjer herët përpara 11 majit. E kam ndjerë që në momentin që mora vesh që do të isha pjesë e listës së mbyllur të qarkut të Tiranës.

Nga ai moment e mbrapa jam përpjekur të jap më të mirën time gjatë fushatës, gjë të cilën po e bëj dhe tani dhe do vazhdoj ta bëj dhe më tej.

Unë nuk mendoj që dikush na pengon që ne të çojmë përpara kauzat tona. Sigurisht më vjen keq të shoh momente të caktuar kur Parlamenti për një arsye apo tjetër del jashtë konteksti dhe nuk lejohet që të kryej funksionet e tij, por jam i bindur që do arrijmë të kemi një Parlament shumë funksional.

Do të jetë një mandat i katërt për ne i mbushur me përgjegjësi ndaj qytetarëve, do të jetë një mandat i cili për shkak të numrave që kemi nuk do të jetë aspak i lehtë dhe puna që do të bëjmë duhet të jetë shumë e madhe", u shpreh Malaj.

Për më shumë ndiqni intervistën e plotë: