Përfundon takimi trepalësh i paqes Ukrainë-Rusi-Turqi
Sapo ka përfunduar takimi trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë i organizuar nga Turqia në Stamboll, i cili synon t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Oncu Keçeli njoftoi në një deklaratë se takimi i cili filloi në orën 14:45 sipas kohës lokale në Pallatin Çıragan në Stamboll, ka përfunduar.
Lidhur me takimin, zëdhënësi Keçeli tha se “nuk përfundoi me rezultat negativ”.
Në takimin trepalësh Turqi-Rusi-Ukrainë, të kryesuar nga ministri i Jashtëm Hakan Fidan, morën pjesë edhe drejtori i Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës (MIT) Ibrahim Kalin dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Metin Gurak.
Delegacioni rus që mori pjesë në takim përfshinte këshilltarin e presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky, zëvendësministrin e Jashtëm Mikhail Galuzin, zëvendësministrin e Mbrojtjes Aleksandr Fomin dhe shefin e Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës së Shtabit të Përgjithshëm (GRU) Igor Kostyukov.
Ndërkaq, delegacioni ukrainas përfshinte ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov, zëvendësministrin e Jashtëm të Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, zëvendësshefin e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), Oleksandr Poklad dhe zëvendësshefin e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Oleh Luhovskyi.
Menjëherë pas luftës së përgjakshme që filloi në shkurt të vitit 2022, Turqia i bashkoi Rusinë dhe Ukrainën në të njëjtën tryezë si në Antalia ashtu edhe në Stamboll në të njëjtin vit, dhe në maj të vitit 2025, ajo arriti t’i ulë delegacionet ruse dhe ukrainase në të njëjtën tryezë në Stamboll pas tre vitesh.
Midis Rusisë dhe Ukrainës u zhvilluan negociata më 16 maj në Zyrën Presidenciale në Dolmabahçe të Stambollit.
Të dyja palët ranë dakord të kryenin një shkëmbim të madh të të burgosurve “1 000 persona për 1 000 persona”, paraqitja e pikëpamjeve të hollësishme mbi një armëpushim të mundshëm dhe më pas për të vazhduar negociatat.
Të dy vendet njoftuan se shkëmbimi i të burgosurve i rënë dakord në Stamboll përfundoi më 25 maj.
