Reali përforcon mbrojtjen/ Merr nga Liverpool Trent Alexander-Arnold, paguan 10 milionë euro

Trent Alexander-Arnold do të jetë zyrtarisht një lojtar i Real Madridit më 1 qershor, pasi Liverpool ka pranuar një ofertë prej 10 milionë eurosh për të liruar mbrojtësin anglez para skadimit të kontratës së tij. Lëvizja është bërë për t’i dhënë kohë lojtarit të bashkohet me madrilenët para Kupës së Botës për Klube, që nis më 14 qershor në Shtetet e Bashkuara.

Alexander-Arnold, i cili kishte njoftuar më herët se do të largohej nga Liverpool këtë verë, ka nënshkruar një kontratë 6-vjeçare me kampionët e shumëfishtë evropianë. Ai do të largohej si lojtar i lirë më 30 qershor, por marrëveshja e arritur mes dy klubeve i jep atij mundësinë të integrohet menjëherë në projektin e ri të “Los Blancos”.

FIFA ka miratuar një dritare shtesë transferimesh nga 1 deri më 10 qershor për t’i dhënë mundësi klubeve që të regjistrojnë lojtarë për edicionin e zgjeruar të Kupës së Botës për Klube.

Trent, që është pjesë e Liverpoolit që nga mosha 6-vjeçare, ka fituar me klubin e tij të fëmijërisë dy tituj të Premier League, një Champions League, një Kupë Bote për Klube të FIFA-s, një Superkupë të UEFA-s, si dhe FA Cup dhe Carabao Cup. Në total, ai ka shënuar 23 gola dhe ka dhënë 86 asistime në 352 paraqitje me fanellën e kuqe.

Në deklaratën e tij të fundit, 26-vjeçari tha se dëshironte një “sfidë të re” për t’u rritur “personal dhe profesionalisht”.

Në Madrid, ai do t’i bashkohet bashkëkombësit të tij Jude Bellingham, si dhe do të punojë nën drejtimin e Xabi Alonsos, ish-mesfushorit të Liverpoolit dhe Realit, i cili ka marrë drejtimin e klubit spanjoll pas largimit të Carlo Ancelottit, në një sezon ku klubi nuk fitoi asnjë trofe të madh për herë të parë që nga 2020-21.

Me këtë lëvizje, Real Madrid rikonfirmon ambicien për të ringritur një projekt të ri fitues dhe për të shtuar cilësi në krahun e djathtë të mbrojtjes.