Dëshmi tronditëse në gjykatë: Reperi Diddy përballet me akuza të rënda nga ish-asistentja: Jam zgjuar teksa ai përpiqej të më për*hunonte
Në një dëshmi tronditëse dhënë në një gjykatë në New York, ish-asistentja personale e reperit të njohur amerikan Sean “Diddy” Combs ka rrëfyer publikisht përjetimet e saj gjatë tetë viteve që punoi pranë tij, duke deklaruar se ishte viktimë e abuzimeve seksuale të përsëritura dhe dhunës psikologjike e fizike.
Dëshmitarja, e cila u paraqit me pseudonimin “Mia”, mes lotësh tregoi para trupit gjykues se jetonte në frikë të përhershme nga shpërthimet e dhunshme të artistit dhe ndjehej e pafuqishme për të raportuar abuzimet, pasi besonte se Diddy ishte “mbi çdo autoritet, përfshirë edhe policinë”.
“Nuk mund t’i thosha jo as për një sanduiç. Nuk mund t’i thosha jo për asgjë,” tha ajo.
Sean Combs, i cili ndodhej në sallën e gjyqit gjatë dëshmisë, ndoqi deklaratat e saj pa asnjë reagim, me duart e kryqëzuara në prehrin e tij.
Ai ka mohuar të gjitha akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave federale për trafikim njerëzor dhe transport me qëllim prostitucioni. Mbrojtja e tij nuk ka ndërhyrë ende në procesin e marrjes në pyetje.
Mia tregoi se kishte nisur punën si asistente në vitin 2009, në moshën 20-vjeçare, dhe e përshkroi ambientin e punës si “kaotik” dhe “toksik”, ku i kërkohej të ishte në dispozicion 24/7, duke përjetuar shpesh shpërthime të dhunshme nga reperi.
Në dëshminë e saj, ajo përmendi episode konkrete të dhunës fizike, si një rast kur ai i kishte hedhur një pjatë me spageti drejt kokës, apo një tjetër herë kur i kishte përplasur kompjuterin sepse WiFi nuk punonte.
Mia rrëfeu gjithashtu se kishte qenë dëshmitare e dhunës ndaj ish-partneres së Diddy-t, këngëtares Cassandra Ventura, e cila më herët ka ngritur padi të ngjashme ndaj tij.
Në një incident të rëndë, Mia kujtoi se Ventura kishte hyrë me vrap në dhomën e saj duke bërtitur: “Combs do të më vrasë”. Të dyja ishin fshehur në plazh, duke shpëtuar nga një situatë që dëshmitarja e përshkroi si kërcënuese për jetën.
Ndër ngjarjet më të rënda që Mia përshkroi ishte ajo kur u zgjua dhe kuptoi se Combs po përpiqej ta përdhunonte, një akt që ajo tha se kishte ndodhur në më shumë se një rast gjatë kohës që punonte për të.
E pyetur nga prokurori pse nuk kishte raportuar më parë, ajo u përgjigj: “E kisha frikë atë që ai mund të bënte.”
Dëshmia e saj do të vazhdojë në seancën e radhës të premten, ku pritet që avokatët e Combs të paraqesin kundërpyetje dhe të japin qëndrimin e tyre zyrtar.
