Zyrtare/ Vincenzo Italiano rinovon me Bologna-n: Rikthehemi në korrik, më të motivuar se kurrë!
Vincenzo Italiano do të vazhdojë aventurën e tij me Bologna-n, duke zgjatur zyrtarisht kontratën e tij deri në qershor të vitit 2027. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi në një komunikatë zyrtare:
"Bologna FC 1909 njofton se ka arritur marrëveshjen me Vincenzo Italiano-n për rinovimin e kontratës deri më 30 qershor 2027."
Pas një sezoni historik, ku Italianos i mjaftoi vetëm një vit për të sjellë Kupën e Italisë në qytet, trofe që Bologna nuk e kishte fituar prej 51 vitesh, klubi vendosi të forcojë besimin tek trajneri që solli freski dhe entuziazëm.
Italiano ishte një prej emrave më të përfolur në merkato, madje në listën e parë të Milanit për pankinën e sezonit të ardhshëm.
Megjithatë, trajneri vendosi t’i qëndronte besnik projektit të tij te Bologna, duke refuzuar ofertën e kuqezinjve dhe duke zgjedhur vazhdimësinë.
Në një deklaratë për mediet, trajneri shprehu emocionin e tij për këtë rinovim:
“Jam shumë i lumtur që do të vazhdojmë këtë rrugëtim së bashku.
Na presin shumë sfida interesante dhe objektiva të rëndësishëm për t’u arritur. Do të rikthehemi në korrik më të motivuar se kurrë!”
Pas një sezoni të suksesshëm dhe me rikthimin në kompeticionet evropiane, Bologna dhe Vincenzo Italiano duket se janë gati të nisin një cikël të ri ambicioz në Serie A.
