Rakitic për lamtumirën e Modric: Më surprizoi, nuk e imagjinoj dot Real Madridin pa të

Nga një kampion te tjetri… Ivan Rakitic ka nderuar mikun dhe bashkëlojtarin e tij të përhershëm në kombëtaren kroate, Luka Modric. Ish-mesfushori i Sevilla dhe Barcelonës ka komentuar në emisionin “El Partidazo” lamtumirën prekëse të Modric nga Real Madridi. Këto ishin fjalët e tij:

“Më ka trishtuar shumë, sepse të gjithë ne duam të vazhdojmë ta shijojmë lojën e Luka, sidomos me fanellën e Realit. Është shumë e vështirë ta imagjinosh Real Madridin pa të. Reali ka pasur lojtarë të mëdhenj si Cristiano Ronaldo dhe Sergio Ramos, por Luka ishte ndryshe.

Ai kishte dashurinë e të gjithëve. Në mars, kur ishte këtu në Split me kombëtaren, fola me të dhe pashë që po e shijonte jetën. Modric ka nevojë për Realin dhe Reali për Modric. Ta shohësh kështu Lukën, nuk është e lehtë”.

Më pas, për momentin pas ndeshjes me Real Sociedad dhe nderimin nga “Bernabeu”: “Ishte gjithçka shumë e bukur, nderim i merituar për Luka. Ishte hera e parë që e pamë ‘shefin’ (Florentino Pérez) në tribunë me lot në sy. Më trishton pak.

E vetmja gjë që i kam thënë në telefon këto ditë është se shpresoj të vazhdojë të kënaqet dhe ta çojë kombëtaren tonë në Kupën e Botës. Më ka surprizuar vërtet. Por për mua, si mik, gjëja më e rëndësishme është që ai të jetë i lumtur”.