Ndahet nga jeta regjisori algjerian Mohammed Lakhdar-Hamina, fituesi më i vjetër i Palmës së Artë

Regjisori i njohur algjerian, Mohammed Lakhdar-Hamina, ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare në shtëpinë e tij në Algjer më 23 maj, sipas një deklarate të familjes. Ai mbetet në histori si fituesi më i vjetër i Palmës së Artë dhe si autori i vetmit film afrikan që ka fituar këtë çmim prestigjioz – “Kronikat e Viteve të Zjarrit”.

Filmi i tij epik “Chronique des Années de Braise”, i realizuar në vitin 1975, rrëfen Luftën e Pavarësisë së Algjerisë përmes perspektivës së një fermeri fshatar dhe pasqyron realitetin e ashpër të sundimit kolonial francez. Pikërisht në ditën kur ndërroi jetë Lakhdar-Hamina, filmi i tij u shfaq në programin “Klasikët e Kanës” si pjesë e festimeve për 50-vjetorin e fitores së Palmës së Artë.

Karriera e tij në kinematografi përfshiu disa garime të tjera për Palmën e Artë me filma si “Erërat e Aureve” (fitues i çmimit për debutimin më të mirë në vitin 1967), “Sandstorm” (1982) dhe “Last Image” (1986). Pas një periudhe 30-vjeçare pa prodhime, ai u rikthye me filmin “Twilight of Shadows”, kandidatura algjeriane për Oscar në vitin 2016.

I lindur më 26 shkurt 1934 në M’Sila, në verilindje të Algjerisë, Hamina studioi në Francë. Gjatë luftës algjeriane, ai humbi babain e tij, i cili u torturua dhe vra nga ushtria franceze. Në vitin 1958 dezertoi nga ushtria franceze për t’iu bashkuar rezistencës në Tunis, ku nisi rrugëtimin në fushën e gazetarisë dhe filmit.

Përveç krijimtarisë së tij regjisoriale, Lakhdar-Hamina mbajti edhe poste të rëndësishme në institucionet kombëtare të filmit në Algjeri, duke kontribuar në zhvillimin e kinematografisë algjeriane për dekada me radhë.