Martesa mes kushërinjve ndalohet me ligj! Qeveria austriake propozon: Martesa të ligjshme mbi 18 vjeç, e pa lidhje gjaku
Austria do të ndalojë martesat për personat nën 18 vjeç dhe mes të afërmve deri në shkallën e katërt, përfshirë linjën e tretë të kushërinjve. Ligji synon të mbrojë të rinjtë nga presioni dhe martesat e detyruara. Reforma pritet të hyjë në fuqi në gusht 2025.
Qeveria austriake ka propozuar ndryshime të rëndësishme në ligjin për martesat, me qëllim mbrojtjen e të miturve dhe forcimin e rendit familjar. Projektligji ndalon martesat për personat nën moshën 18 vjeç dhe ndalon gjithashtu lidhjet martesore mes personave me lidhje gjaku deri në shkallën e katërt – ku përfshihen edhe kushërinjtë e tretë.
Projektligji, i paraqitur nga Ministrja e Drejtësisë Anna Sporrer, pritet të miratohet para pushimeve verore dhe të hyjë në fuqi në gusht 2025.
Sipas tij, vetëm personat mbi 18 vjeç do të kenë të drejtë të martohen ose të regjistrojnë partneritete civile, pa përjashtime, edhe në rastet e shtatzënisë në adoleshencë.
Qëllimi është të parandalohet presioni familjar dhe martesat e detyruara, si dhe të inkurajohet që të rinjtë të përqendrohen në shkollim dhe zhvillim personal. Deri më sot, martesat e moshës 16-17 ishin të mundura me leje prindërore dhe miratim gjykate – por kjo praktikë do të ndalohet plotësisht.
Sipas dispozitave të reja, prokuroria do të ketë të drejtën të kërkojë anulimin e martesave që bien ndesh me ligjin.
Zyra e Sporrer theksoi se çdo martesë me një partner nën 18 vjeç konsiderohet “martesë fëmijësh”, sipas definimit të UNICEF-it, dhe ndalimi është në përputhje me objektivat globale për ta zhdukur këtë fenomen deri më 2030.
Ministrja e Familjes, Claudia Plakolm, e quajti ligjin një “hap vendimtar” për të parandaluar martesat e fëmijëve dhe praktikat që vijnë nga ligje të huaja si Sheriati.
Edhe pse rastet janë të rralla – vetëm 10 raste në vitin 2023 – qeveria e konsideron reformën të domosdoshme për mbrojtjen ligjore dhe morale të të rinjve.
Statistikat tregojnë për një rënie të qartë: nga rreth 50 martesa nën moshë në vitin 2015, në vetëm 6 në vitin 2024.
Por ligji i ri synon të japë një mesazh të qartë shoqëror dhe juridik: martesa është për të rriturit dhe nuk ka vend për presion apo abuzim në emër të traditës.

