Zyrtare/ Guardiola humbet tre ndihmës, stafi teknik i Manchester City-t drejt rindërtimit
Pep Guardiola përballet me një sfidë të madhe për sezonin e ardhshëm: rindërtimin e stafit të tij teknik.
Manchester City ka konfirmuar zyrtarisht largimin e tre prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe më të rëndësishëm të trajnerit spanjoll.
Në një komunikatë të klubit thuhet:
“Asistentët Juanma Lillo dhe Inigo Dominguez do të largohen nga Manchester City me përfundimin e kontratave të tyre. Lillo, i cili ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer në Spanjë, ka kaluar dy periudha të suksesshme me klubin.
Ai iu bashkua City-t për herë të parë si zëvendës i Guardiolës në vitin 2020, më pas u largua në verën e 2022 për të marrë drejtimin e Al-Sadd në Katar, para se të rikthehej sërish në 2023 si ndihmës.”
Edhe Inigo Dominguez, pjesë e stafit në dy sezonet e fundit, do të largohet bashkë me Lillo-n.
Po ashtu, një tjetër figurë kyçe në strukturën teknike, Carlos Vicens, ka pranuar një ofertë për të marrë drejtimin e Braga-s në Portugali.
Vicens ka qenë pjesë e Manchester City që nga viti 2017, ka fituar FA Youth Cup me ekipin U-18 në vitin 2020 dhe më pas u bashkua me skuadrën e parë si pjesë e stafit të Guardiolës.
Klubi konfirmon se pasardhësit e tyre do të njoftohen në kohën e duhur dhe shpreh falënderimet më të përzemërta për kontributin e tyre gjatë një prej epokave më të lavdishme në historinë e klubit.
“E gjithë familja e Manchester City-t u uron Juanma-s, Inigo-s dhe Carlos-it më të mirat në të ardhmen dhe i falënderon për gjithçka që kanë dhënë për sukseset e këtij klubi.”
