Mbyllet bashkëpunimi Tirana- Ibraimi, bardheblutë të pakënaqur…
TIRANE - Agim Ibraimi nuk është më drejtor sportiv i Tiranës.
Një lajm që përflitej prej kohësh, por ditën e mërkurë është vendosur që ky bashkëpunim të mbyllej.
Ishte një vit i lodhshëm e sfidues, me Tiranën që kërkoi të rikompozohej, duke nisur pikërisht me Ibraimin, njeriu i cili drejtoi mbi të gjitha merkaton, por që në fund të sezonit la presidencën të pakënaqur, si në aspektin e rezultateve ashtu edhe për mënyrën sesi u menaxhua situata e lojtarëve.
Edhe pse nuk ka patur përplasje mes palëve, duket se filozofia e drejtuesve të klubit me atë të drejtorit ishte e ndryshme dhe në drejtime të kundërta.
18 lojtarë të marrë nga Ibraimi këtë sezon, një shifër në të cilën vetëm pak lojtarë spikatën, si Jarmouni, Ernest, Dembele dhe Kola, lojtarë, të cilët në verë edhe mund të sakrifikohen nëse paraqiten oferta të kënaqshme për klubin.
Megjithatë gjithçka do të varet nga politikat që do të ndërtojnë drejtuesit e klubit bardheblu për sezonin e ri sportiv./DOSJA
