Kontrata nuk rinovohet, Milos Stojanoviç largohet nga Vllaznia
Një epokë dyvjeçare në prapavijën e Vllaznisë merr fund. Milos Stojanoviç, një prej lojtarëve më të qëndrueshëm dhe më të besuar në mbrojtjen shkodrane, nuk do të jetë më pjesë e kuqebluve.
Kontrata e tij ka përfunduar dhe palët kanë vendosur të mos e rinovojnë, duke e bërë atë largimin e parë zyrtar në këtë verë ndryshimesh për skuadrën.
Ky vendim vjen në një moment tranzicioni për Vllazninë, që nën drejtimin e trajnerit Edi Martini po ndërton një projekt të ri teknik dhe sportiv.
Dhe pavarësisht se Stojanoviç shpesh është konsideruar "i paprekshëm" në mbrojtje, duket se koha për një kapitull të ri ka ardhur.
Klubi ka bërë publike ndarjen me një mesazh të shkurtër, por domethënës:
“Pas 2 vitesh bashkëpunimi, mbyllet këtu rrugëtimi i futbollistit Milos Stojanoviç me fanellën kuqeblu.
KF Vllaznia e falënderon atë për kontributin e dhënë për skuadrën tonë dhe i uron suksese në karrierën e tij të mëtejshme.”
Stojanoviç largohet nga Shkodra me dinjitet.
Me largimin e tij, Vllaznia humbet një figurë të rëndësishme në repartin e e pasmë, por gjithashtu hapet rruga për prurje të reja në funksion të sezonit të ardhshëm.
