Ish-gjyqtarja e bandave lihet në burg, GJKKO rrëzon kërkesën e Pajtime Fetahut

GJKKO ka rrëzuar kërkesën e ish gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu për ndryshimin e masës së sigurisë.

Ajo pretendonte ne kërkesë deklarimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit.

Por pas shqyrtimit të fakteve, gjyqtari Erjon Ccela vendosi t’i rrëzojë pretendimet e ish-koleges së tij dhe lënien e saj në burg.

Fetahu që prej muajit nëntor të vitit 2024 po mbahet në burgun e grave në Pogradec, në kuadër të një urdhër-arresti që u lëshua nga SPAK, mbi hetimet për Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij në Elbasan, për të cilët akuzohet se i ka favorizuar dhe ka pasur komunikime, të zbuluara këto nga përgjimet e platformës së koduar SKY ECC.

Emri i saj doli sërish më pas në operacionin e SPAK, “Plumbi i Artë 2” për grupet kriminale, ku u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste.

Sipas SPAK, Pajtime Fetahu dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe ndërkohë priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”.

Fetahu njihej nga grupi i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja si “Komshija”.