Vodhën një automjet në Tepelenë dhe e shitën në Gjirokastër, arrestohen 3 persona

Policia në Tepelenë ka finalizuar operacionin “Nearby”, duke arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje automjeti dhe posedim të lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar droga, armë të ftohta dhe automjeti i vjedhur, ndërsa materiali i hetimit është dërguar në Prokurori për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Tepelenë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Nearby”, për zbardhjen e një vjedhjeje të kryer 2 ditë më parë.

Vodhën 1 automjet në Tepelenë dhe e shitën në Gjirokastër, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti.

Sekuestrohen edhe një sasi e vogël lënde narkotike Cannabis Sativa, 2 grirëse për lëndët narkotike dhe 2 armë të ftohta (thika), që u gjetën në automjetin e njërit prej të arrestuarve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Gjirokastër, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, në kuadër të operacionit “Nearby”, për zbardhjen e vjedhjes së një automjeti, në qytetin e Tepelenës, kanë identifikuar, kapur dhe ndaluar shtetasit:

K. P., 24 vjeç, F. H., 18 vjeç dhe një 17-vjeçar, të tre banues në Tepelenë.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 26.05.2025, kanë vjedhur në Tepelenë, automjetin e shtetasit F. C., banues në Tepelenë, dhe e kanë shitur në Gjirokastër.

Gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të shtetasit F. H., shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 2 grirëse për lëndët narkotike dhe 2 thika.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.