Takimi me Zelenskyyn, Merz: Gjermania do të vazhdojë dhe zgjerojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën

GJERMANI- Kancelari gjarman Friedrich Merz dhe Volodymyr Zelenskyy arritën një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Ukrainës për prodhimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.

Kancelari gjerman njoftoi marrëveshjen, por shmangu përmendjen e drejtpërdrejtë të mundësisë së Gjermanisë për të dërguar raketa Taurus.

 Merz theksoi gjithashtu se Berlini do të bëjë gjithçka për të parandaluar rihapjen e tubacionit Nord Stream 2 dhe përsëriti se topi është në fushën e Rusisë për armëpushimin.

“I dashur Volodimir, Ukraina mbron sigurinë e Evropës kundër revizionizmit luftarak rus.

Gjermania do ta ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, tha kancelari ndërsa përshëndeti presidentin ukrainas, duke theksuar kohezionin e aleatëve perëndimorë dhe duke falënderuar në mënyrë të qartë Presidentin e SHBA-së Donald Trump për angazhimin e tij të fundit.

1.Friedrich Merz foli për një formë të re bashkëpunimi me Ukrainën dhe iu referua pesë pikave.

2.Konsultimet midis qeverive gjermane dhe ukrainase në fund të vitit për të thelluar bashkëpunimin dypalësh.

3.Diskutimet mbi bashkëpunimin më të ngushtë ekonomik, i cili do të fillojë sot, me pjesëmarrjen e biznesmenëve gjermanë. 

4.Promovimin e përpjekjeve për një armëpushim me mbështetjen e SHBA-së.

5.Vazhdimin dhe zgjerimin e mbështetjes ushtarake gjermane për Ukrainën dhe bërjen e paqes së qëndrueshme për Ukrainën dhe sigurisë për Evropën një përparësi qendrore.

Merz njoftoi gjithashtu se sonte ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi midis industrive të tyre të mbrojtjes për prodhimin e sistemeve të armëve me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë.

"Nuk do të ketë kufizime në distancë. Ukraina do të jetë në gjendje të mbrohet plotësisht, madje edhe kundër objektivave ushtarake jashtë territorit të saj”, tha Kancelari dhe foli për një formë të re të bashkëpunimit ushtarako-industrial me potencial të madh, por ai shmangu përgjigjen e një pyetjeje në lidhje me mundësinë e dërgimit të sistemeve Taurus nga Gjermania në Ukrainë.

"Ne duam të aktivizojmë armë me rreze të gjatë veprimi, por nuk do t'i diskutojmë detajet publikisht. Mbi të gjitha, do të përpiqemi t'i ofrojmë Ukrainës të gjitha kapacitetet që do ta lejojnë atë të mbrohet me sukses", tha Friedrich Merz. 

Ndërsa Zelenskyy bëri thirrje për paketa më të forta sanksionesh. Volodymyr Zelensky, nga ana e tij, e falënderoi Merz për vizitën e tij të fundit në Kiev, duke e quajtur atë një mesazh të rëndësishëm dhe duke e përshkruar Gjermaninë si një partner kryesor për një rend global të bazuar në rregulla.

"Rusia duhet të heqë dorë nga dëshira e saj për të shkatërruar jetën e ukrainasve. Kemi nevojë për paketa më të forta sanksionesh që do të çojnë në paqe. Ne nuk duam një luftë shumëvjeçare", tha Zelenskyy. 

Presidenti ukrainas vuri në dukje, megjithatë, se ekonomia ruse ka filluar tashmë të ndiejë pasojat e sanksioneve dhe tha se qëllimi është që ushtria ruse të përballet me një problem financimi në mënyrë që lufta të mos zgjasë më.