BSH: Rritet në 6,78 miliardë lekë Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u rrit në 6,78 miliardë lekë, në fund të muajit prill 2025.

Sipas BSH-së, në prill 2025, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u shtua me 1,04 miliardë lekë nga kontributi vjetor i bankave, duke arritur në një total prej 6,78 miliardë lekë.

Ky fond, i krijuar në vitin 2018 dhe i administruar nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, mbështet Bankën e Shqipërisë në zbatimin e masave për garantimin e stabilitetit financiar.

Objektivi i BSH-së është që Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme të arrijë në 8,9 miliardë lekë deri në vitin 2027, në përputhje me ligjin për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka.

Fondi përdoret për garantimin e aktiveve, mbështetjen e likuiditetit, kompensimin e humbjeve, dhe qëllime të tjera kritike në raste të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.