Salmonela në kopshtin e Gramshit, Sokoli: Ky rast duhet të ngrejë alarmin kombëtar, askush nuk kontrollon çfarë u serviret fëmijëve
Ekspert i sigurisë ushqimore pranë Qendrës “Alert”, dhe drejtuesi i emisionit Alert ne "Ora News", Granit Sokolaj ishte i ftuar në studion e emisionit “Kafe Shqeto”, ku komentoi ngjarjen shqetësuese të helmimit të fëmijëve në kopshtin e Gramshit.
Sokoli theksoi rëndësinë e kontrollit të zinxhirit ushqimor nga prodhimi, përpunimi, magazinimi, transporti e deri tek servimi, duke vënë në dukje se raste të tilla si ky i Gramshit tregojnë për dështim të plotë institucional dhe mungesë të theksuar të monitorimit shtetëror mbi sigurinë ushqimore në institucione publike që shërbejnë ushqim për fëmijët.
Ai nënvizoi gjithashtu se helmimet me salmonelë janë një indikator serioz i thyerjes së standardeve të sigurisë ushqimore dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga autoritetet për të hetuar, ndëshkuar përgjegjësit dhe parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Deklarata e tij:
"Është tentuar të mbyllet historia brenda spitalit, që të mos bëhej publike dhe të mos ishte sot lajm në media. Kompaninë, sigurisht, unë në të vërtetë nuk e njoh fare dhe mbrëmë po kërkoja emrin e saj. Ajo mund të mos ketë përgjegjësi, siç mund të ketë plot të tilla.
Aty duhet verifikuar kushtet e kompanisë, magazinës ku grumbullohen produktet ushqimore dhe të Drejtorisë së Kopshteve për kushtet higjeno-sanitare, dhe të mos flasim për kushtet e transportit të ushqimeve.
Kjo është një situatë që duhet të themi 'Na ruajt Zoti'. Jemi akoma këtu, domethënë, dhe ai fond prej 10 miliardë euro për sigurinë ushqimore nga shteti nuk shkon për sigurinë ushqimore, absolutisht.
Po thoja që është fatkeqësi që gjatë fushatës elektorale, sidomos fushatës nga ky kryeministër që pretendonte mandatin e katërt dhe e mori, nuk është thënë qoftë një fjalë e vetme as për sigurinë ushqimore, as për mbrojtjen e konsumatorit.
Prania e salmonelës tek fëmijët sjell temperaturë, marramendje, pra kanë sidomos fëmijët këto efekte, ndonëse ka njerëz të tjerë që preken nga salmonela e nuk shfaqin këto simptoma.
Kështu që ka një mungesë serioziteti dhe koordinimi të punës së institucioneve publike, dhe ky është shqetësimi i parë që duhet marrë.”

