Ibrahimaj: Startup-et inovative po i japin emër Shqipërisë në tregun global

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj mori pjesë në “GITEX Europe”, një nga panairet më të rëndësishme globale për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale që u organizua në Berlin.

Në një panel diskutimi me homologë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjeorgjia dhe Republika Çeke, ministrja Ibrahimaj diskutoi për mënyrat se si Inteligjenca Artificiale po transformon shërbimet publike dhe ekonominë, si dhe për rëndësinë e krijimit të një ekosistemi gjithëpërfshirës ku përfitojnë edhe startup-et dhe Ndërmarrjeve të Vogla të Mesme.

“Me krenari promovuam talentet shqiptare dhe historitë e suksesit të startup-eve tona, që me ide të guximshme dhe zgjidhje inovative po i japin emër Shqipërisë në tregun global”, tha ajo.

Ibrahimaj siguroi se “Shqipëria është e angazhuar për të ndërtuar një të ardhme dixhitale, inovative dhe europiane, me rini të përgatitur, politika të guximshme dhe vizion të qartë”.