Ndihma juridike falas, raporti: Në 2024 u trajtuan 5800 raste këshillimi e orientimi

Të paktën 5800 raste kanë përfituar nga ajo që njihet si ndihmë juridike falas dhe që u jepet personave që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat apo jurist për të zgjidhur një problematikë ligjore. Raporti i Avokatit të Popullit tregon se vitin e shkuar këtyre personave u është dhënë orientim ose janë këshilluar mbi çështje të ndryshme nga institucionet që e ofrojnë këtë ndihmë.

“Për vitin 2024, rreth 5,800 raste janë trajtuar në formën e këshillimeve dhe orientimeve, ku përfshihet edhe ndihma juridike falas, e ofruar nga stafi i Avokatit të Popullit dhe zyrat rajonale, mbi rrugët ligjore që duhet të ndjekin qytetarët për trajtimin e mëtejshëm të çështjeve të tyre.

Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ka lidhur marrëveshje me 13 institucione të Arsimit të Lartë, në Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Elbasan. Këto institucione kanë vendosur në dispozicion të qytetarëve zyra të brendshme të përshtatshme për pritjen e shtetasve, të aksesueshme edhe nga persona me aftësi të kufizuar” thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Aktualisht në zbatim të nenit 13 të ligjit nr.111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuara nga shteti”, ndihma juridike parësore ofrohet nga:  Qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore (përmes punonjësve me trajnim të posaçëm);  Organizatat jofitimprurëse të autorizuara; Klinikat ligjore pranë institucioneve të arsimit të lartë.

Ndërkohë sipas raportit përveç trajtimit të një çështje në ambientet fizike të qendrave ndihma juridike jepet edhe përmes platformave online apo linjës telefonike. Kështu një platformë e tillë është ‘Juristionline’ dhe ‘Numrit të Gjelbër’ 08001010.

“Për të garantuar aksesin e qytetarëve nëpërmjet ndihmës juridike falas, ka mundësuar për të gjithë qytetarët ofrimin e shërbimeve ligjore online përmes platformës ‘juristionline.al’.

Përmes kësaj platforme çdo qytetar ka mundësi të këshillohet dhe informohet lidhur me aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor, dhënien e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore.

Qytetarët mund të parashtrojnë problematikën e tyre në këtë platformë thjesht përmes adresimit të një pyetjeje, pa qenë nevoja për të plotësuar të dhëna shtesë të përcaktuara në formularët për përfitimin e ndihmës juridike parësore” thuhet në raport./ Monitor