Zelensky: Nëntë viktimat në sulmin rus ndaj autobusit në Sumy ishin civilë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky akuzoi sot Rusinë  për vrasjen e qëllimshme të civilëve në një sulm me dron ndaj një autobusi, që shkaktoi nëntë të vdekur në rajonin e Sumyt.

“Të gjithë të vdekurit ishin civilë. Dhe rusët nuk mund të mos e kuptonin se çfarë lloj automjeti po synonin. Kjo ishte një vrasje e qëllimshme e civilëve”, tha ai në një postim në X që u shoqërua me një foto që tregonte një furgon që ishte shkatërruar.

Burime ukrainase thanë më parë se nëntë persona ishin vrarë në sulm, në qytetin kufitar Bilopillia në rajonin Sumy të Ukrainës.

Shtatë persona u plagosën.

Zelensky tha se ata pësuan djegie dhe thyerje kockash.

Sulmi ndodhi një ditë pas bisedimeve ruso-ukrainase që synonin t’i jepnin fund luftës në Ukrainë, të nisura nga Rusia më shumë se tre vjet më parë.

Zelensky tha se e shihte sulmin si ”provë të mëtejshme se Rusia nuk ka interes për një armëpushim” dhe kërkoi ”presion më të fortë në formën e sanksioneve ndaj Moskës” në mënyrë që të ndalonte vrasjet.