Ankaraja nis evakuimin e turqve të Libisë në Tripoli

Turqia po përgatitet të evakuojë qytetarët e saj nga Tripoli, kryeqyteti i Libisë, i cili po përjeton një armëpushim të brishtë pas disa ditësh përleshjesh të përgjakshme midis grupeve të armatosura.

Luftimet, të konsideruara si më të ashprat në Tripoli gjatë viteve të fundit, u qetësuan të mërkurën pas shpalljes së një armëpushimi nga qeveria.

Përleshjet kishin shpërthyer të hënën në mbrëmje pas vrasjes së një udhëheqësi të njohur paraushtarak.

Megjithëse të martën situata u qetësua përkohësisht, luftimet rifilluan gjatë natës, duke shkaktuar dëme të mëdha në disa zona të kryeqytetit.

Ambasada turke në Tripoli njoftoi se po shqyrton mundësinë e organizimit të një fluturimi evakuues nga kompania Turkish Airlines, që do të lidhte qytetin portual të Misratës me Stambollin.

Po shqyrtohet mundësia e caktimit të një fluturimi të Turkish Airlines midis Misratës dhe Stambollit për qytetarët tanë që dëshirojnë të nisen nga Tripoli,” thuhet në deklaratën e ambasadës në Facebook.

Gjithashtu, për të mundësuar largimin e qytetarëve nga zona e konfliktit, ambasada po punon për organizimin e transportit me autobus nga Tripoli drejt Misratës, e cila ndodhet rreth 200 kilometra në lindje të kryeqytetit.

Ndërkohë, operacionet në aeroportin e Tripolit mbeten pothuajse tërësisht të pezulluara që prej së hënës për shkak të luftimeve të ashpra në lagjet me popullsi të dendur.