Lista “Most Wanted”/ Kush është shqiptari në listën e më të kërkuarve në Europë (EMËR+FOTO)
EVROPË- Shpendi Malo, 34-vjeç është një ndër shqiptarët më të kërkuar në Europë.
Ai është pjesë e listës ‘Europe’s Most Wanted’ pasi besohet se ka vrarë një 27-vjeçar nga Shqipëria.
Në mbrëmjen e 11 shtatorit 2019, Shpendi Malo dyshohet se e ka joshur viktimën me anë të celularit në pyllin Dölauer Heide, një pyll urban në Halle (Saale).
Aty dyshohet se ai e ka therur të riun me thikë dhe 27-vjeçari ka ndruar jetë në vendngjarje.
Për të fshehur krimin, trupi u hodh në një kanal dhe u mbulua me gjethe dhe katër ditë më vonë, ai u gjet nga kalimtarët.
Ende nuk është e qartë nëse ka pasur një bashkëpunëtor, por sipas policisë, disa prova e sugjerojnë këtë.
Gjithashtu motivi i saktë i krimit nuk dihet, por mund të bëhet fjalë për mosmarrëveshje në fushën e trafikut të drogës.
Personi i kërkuar kishte flokë të errët dhe të drejtë në vitin 2019 dhe ishte i dobët. Detaj i veçantë në fytyrën e tij ka disa nishane, më i madhi ndodhet poshtë syrit të djathtë.
Ai cilësohet i rrezikshëm dhe Europoli sugjeron që të mos i afrohen por të lajmërojnë policinë ose autoritetet e tjera të zbatimit të ligjit.
