Ambasadori gjerman: Proces i qetë, zgjedhje me rëndësi për integrimin evropiane të Shqipërisë
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, u shpreh sot gjatë një interviste televizive se procesi zgjedhor po ecën në mënyrë të qetë dhe normale.
“Isha në një shkollë në Durrës ku po votohet në mënyrë elektronike. Ky është një sistem që mund të kërkojë pak kohë për t’u mësuar me të, por sjell rezultate më të sakta dhe të drejta,” tha Bergner.
Ambasadori Bergner u ndal edhe te rëndësia që kanë këto zgjedhje për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke i cilësuar si një test të rëndësishëm për standardet demokratike dhe përparimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Zgjedhjet transparente do të jenë një provë solide për rrugën e integrimit. Edhe vëzhguesit e huaj, mes të cilëve ka edhe shumë gjermanë, janë të interesuar që transparenca e procesit të jetë e lartë,” tha ai.
Ambasadori u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje të lartë në votime.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë ditë për të hedhur votën e tyre. Pjesëmarrja që kemi vërejtur deri tani ka qenë e lartë dhe mendoj se çdo shqiptar do të përfitojë nga këto zgjedhje,” pohoi Bergner, duke theksuar se akti i votimit është një akt përgjegjësie për të ardhmen.
“Edhe nëse jeni të pakënaqur me alternativat aktuale, duhet të votoni, është një mënyrë për të mos hedhur poshtë shansin për vendin, për të ardhmen e familjes dhe fëmijëve tuaj”, nënvizoi ai.
