NAMI NË ELBASAN PËR VOTA/ Hapen 3 dosje të tjera, 7 persona po shpjegojnë skemat në komisariat

Ndërkohë në Policinë e Elbasanit janë shoqëruar dhe 7 persona të tjerë të cilët aktualisht po meren në pyetje nga oficerët e prokurorisë.

Pyetja e tyre mësohet se s’ka lidhje me procedimin për zyrtarët e Belshit, por për 3 dosje të tjera që janë hapur dhe po hetohen nga prokuroria e Elbasanit.

Kujtojmë se sot Prokuroria e Elbasanit ka ndërmarrë një aksion për të goditur një rast të krimit zgjedhor në zonën e Belshit, ku burime bëjnë me dije se janë lëshuar urdhëra ndalimi për katër persona.

Mësohet se e përfshirë në krim zgjedhor është kompania “Vëllezërit Hysa”, e cila ka shtruar asfalt elektoral vetëm një javë para zgjedhje të 11 Maji, teksa procedimi është regjistruar bazuar në një denoncim të kandidatit të PD, Dritan Cani.

Burime bëjnë me dije se dy prej katër personave për të cilët ka një urdhër-ndalimi janë administratorët e kompanisë “Vëllezërit Hysa”, shtetasit Besnik Hysa dhe Dhiogjen Kristo, të cilët janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë, për dy personat e tjerë mësohet se është ekzekutuar urdhri i ndalimit.