Shtohen hetimet për zgjedhjet/ PS akuzon demokratët në Lezhë, dy në kërkim për kërcënim

Të paktën tre dosje të reja për zgjedhjet janë hapur në prokuroritë në rrethe. Në Lezhë dy persona u shpallën në kërkim pasi PS denoncoi se kërcënuan kandidaten e tyre.

Ndërkaq në Elbasan procedimi nisi për shpërblime të dhëna para zgjedhjeve, ndërsa në Belsh për atë që quhet asfalt Elektoral.

Dy persona janë shpallur në kerkim nga policia e lezhës. Ermal Pacaj kandidat për deputet nën siglen e selisë rozë, ka denoncuar rastin pranë autoriteteve duke treguar se familja e kandidatës Klotilda Ndreca është kërcënuar deri në rrëmbim.

Pacaj thotë se do ti drejtohet edhe zyrës së vëzhguesve të OSBE-së. Nga këqyrja ne rrjete sociale një natë më parë në profilin e kandidatit për PD Gjin Gjonit është postuar një shkrim ku ka akuzuar disa zyrtarë lokalë si të përfshirë në blerje votash, duke i denoncuar ata publikisht me emra.

Gjoni publikoi edhe një video, duke shkruar: “Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do t’ju ndjekim këmbë për këmbë.”

Ndërkaq hetime nga prokuroria ka nisur edhe në elbasan. Në fokus janë vënë zyrtarë të bashkisë, për shkak të ndarjes së shumave financiare në formën e shpërblimit.

Ky informacion është vlerësuar nga ana e prokurorisë, duke bërë që të rregjistrojë procedim penal për akuzën e “Korrupsionit zgjedhor” dhe “Shpërdorim detyre”.

Edhe në Belsh shënohet një tjetër procedim. Këtë radhë denoncimi është bërë nga kandidati i PD përmes facebook.

Sipas Dritan Canit, mjetet e kompanisë së ndërtimit “Vëllezërit Hysa” po kryejnë punime asfaltimi të një rruge lokale, ku siç pretendon kandidati i PD, rruga ndodhet në lagjen e Kryetarit të Partisë Socialiste, veprime që shton zhvillohen një javë para zgjedhjeve.