Krerët shtetërorë nderojnë Dëshmorët, përulen para monumentit “Nëna Shqipëri”
Liderët shtetërore, sot më datë 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve kanë nderuar dëshmorët e rënë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Ata janë përulur përpara monumentit simbol të “Nënës Shqipëri”, në varrezat e Dëshmorëve.
Në ceremoni mori pjesë presidenti i Republikës Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ministra dhe deputetë.
Me kurora me lule me vete, sot nderohen dëshmorët e rënë për çlirimin e Shqipërisë.
Kreu i Shtetit nderoi veprën e tyre sublime për atdheun, ndërsa përcolli një mesazh të veçantë për të rinjtë.
“Më 5 Maj, Ditën e Dëshmorëve, përulemi para guximit dhe sakrificës së atyre që dhanë gjithçka për çlirimin e Shqipërisë. Vlerat e tyre, trimëria dhe përkushtimi ndaj lirisë janë trashëgimi e shenjtë. Ne e kemi për detyrë t’i përcjellim brezit të ri këtë flakë atdhedashurie, duke nderuar përjetësisht kujtimin e tyre”, u shpreh Presidenti Bajram Begaj.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, kishte dhe nje mesazh në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.
“Sot përulemi me nderim të thellë ndaj Dëshmorëve të Atdheut, djemve dhe vajzave që e deshën Shqipërinë me jetë. Sakrifica e tyre është themeli i lirisë sonë dhe të brezave.
Nderimi më i madh për Dëshmorët është të realizojmë amanetin për të cilin ata ranë fli: Shqipërinë e zhvilluar, të drejtë dhe demokratike, e barabartë në dinjitet me kombet e kontinentit ku përkasim.”, shkruan në mesazhin e saj znj. Spiropali.

