Përfundon rehabilitimi i rrugës hyrëse në Cakran

Ka përfunduar investimi për rehabilitimin e plotë të rrugës hyrëse në njësinë administrative Cakran, në bashkinë Fier. Ky investim i rëndësishëm për zonën synon të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, sigurinë rrugore dhe lidhjen me zonat përreth.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në këtë rrugë, teksa theksoi rëndësinë e rehabilitimit për banorët.

Projekti përfshiu asfaltimin e plotë të rrugës, ndërtimin e trotuareve, sistemimin e kanaleve të ujërave të bardha dhe vendosjen e sinjalistikës rrugore, duke ofruar standarde të reja për banorët dhe vizitorët.

Banorët e Cakranit kanë pritur me vite këtë ndërhyrje, e cila lehtëson lëvizjen dhe krijon kushte më të mira për jetën e përditshme dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Rehabilitimi i kësaj rruge prej 1,2 km është pjesë e programit të investimeve në infrastrukturë që po zbatohet në të gjithë territorin e bashkisë Fier.