Rama "mbyll" fushatën në Dibër: Edhe aksi Maqellarë-Peshkopi i përfunduar, Dibra lagje e Tiranës
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot nga Dibra se edhe segmenti Maqellarë-Peshkopi, pjesë e Rrugës së Arbrit, tashmë ka përfunduar.
Në takimin përmbyllës elektoral me banorët e Dibrës, Rama u shpreh se ndihet krenar që tashmë edhe Rruga e Arbrit dhe Tuneli i Murrizit janë bërë realitet.
“Duke ardhur shpesh për shkak të detyrës në këtë zonë e mësova që këtu është problem kur të ‘rren’ mendja se i ke kënaqur dibranët. Dhe e kisha fiksim që në rast se nuk do të përfundonte Rruga e Arbrit deri tek te shkallët e hotelit të Astritit, dibranët në qytet do thoshin nuk është bërë gjë akoma”, tha Rama.
Rama tha se edhe segmenti Maqellarë-Peshkopi është i përfunduar.
“Përfundimisht nuk vij më në Dibër për të thënë do bëjmë Rrugën e Arbrit, tunelin e Murrizit, rrugën Maqellarë-Peshkopi. Tani e keni deri në Tiranë plumb pushke dhe jeni lagje e Tiranës”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri vlerësoi kontributin në këtë drejtim të zv.kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Prandaj për të qenë deri në fund këtu i vërtetë me ju unë dua që ta ndërpres fjalën sepse vërtetë kjo rrugë ka qenë fiksimi im, por pa dikë që i ka ndenjur në kokë ditë-natë dhe që ka qenë xhandar në gjithë gjatësinë e rrugës që qëllon të jetë edhe dikush që e ka ngritur peshë dhe për herë të parë e ka nxjerrë fituese në të gjitha bashkitë PS-në, nuk do ja dilnim dot ta realizonim të gjithën me kohë dhe në cilësi”, tha Rama.

