Henry duartroket PSG-në: Më superior se Arsenali në çdo aspekt, por kualifikimi mbetet i hapur

Edhe një legjendë e Arsenalit si Thierry Henry nuk ka asnjë dyshim: PSG e ka merituar fitoren 1-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, në “Emirates Stadium”.

Ish-sulmuesi francez pranoi epërsinë e dukshme të parizienëve, por theksoi se kualifikimi është ende i hapur: “PSG ishte shumë superiore në gjysmëfinalen e parë, por ndeshja e kthimit do të jetë ndryshe. Në Champions gjithçka mund të ndodhë”.

Henry vuri në pah edhe një moment kyç të sfidës: largimin nga fusha të Ousmane Dembélé, autorit të golit vendimtar. “Që nga ai moment Arsenali filloi të ushtrojë më shumë presion, sepse nuk kishte më frikë nga kundërsulmet e tij. Taktikisht gjithçka ndryshoi”.

Fatmirësisht për Luis Enrique, problemi muskulor i ish-lojtarit të Barcelonës nuk duket serioz. Dembélé pritet të jetë i gatshëm për sfidën e kthimit më 7 maj në “Parc des Princes”.

Fjalët e Henry përputhen edhe me atë që shkruajnë mediat britanike. “The Telegraph” e quajti “performancë të jashtëzakonshme” atë të PSG-së, ndërsa “Daily Mail” shkroi se parizienët “i dominuan topçinjtë”.

Megjithë disa raste të humbura në fund, kampionët e Francës ende nuk e kanë siguruar kualifikimin. Dhe Henry paralajmëron: “Edhe kundër Barcelonës, të gjithë menduan se ishte mbyllur, pastaj PSG-ja fitoi me lehtësi. Asnjëherë mos merrni asgjë të mirëqenë në Champions League”.