Dorëheqja e këshilltarit të sigurisë kombëtare në SHBA, ironizojnë demokratët: Mike Waltz është larguar nga biseda
Guvernatori i Minesotës dhe ish-kandidati demokrat për zëvendëspresident, Tim Walz, ka reaguar mbi largimin nga detyra të këshilltarit të sigurisë kombëtare, Mike Waltz. Ai reagoi menjëherë përmes një postimi në "X": "Mike Waltz është larguar nga biseda."
Të dy kanë një histori të gjatë pasi Waltz gjatë fushatës zgjedhore akuzoi guvernatorin se kishte ekzagjeruar dhe kishte gënjyer për karrierën e tij në Gardën Kombëtare.
Partia Demokratike në "X" gjithashtu nuk mundi t’i rezistonte ironive mbi largimin e Waltz, duke postuar një imazh të një bisede në grup ku shkruhej “Donald J. Trump largoi Michael Waltz” dhe një imazh tjetër ku shkruhej “Michael Waltz u përjashtua”.
Ndërsa rrethanat e largimit të tij janë të paqarta, Waltz mori përgjegjësinë e plotë për skandalin me bisedën e grupit të zyrtarëve të lartë amerikan në Signal, e cila dyshohet se është dhe arsyeja e dorëheqjes. Zëvendësi i tij, Alex Wong, gjithashtu do të largohet nga posti i tij, raportuan mediat e huaja.
Skandali i "Signal" shpërtheu kur redaktori i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, u shtua në një bisedë në Signal me zyrtarë të lartë të administratës Trump, ku sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth ndau detaje rreth sulmeve amerikane në Jemen.
