“Bashkëpunëtor me Durim Bamin për kultivimin e kanabisit”, ish-efektivi RENEA Altin Morina kundër arrestit me burg
Altin Morina ish-efektiv i forcave RENEA ka ankimuar në Apelin e Posaçëm masën e sigurisë arrest në burg të dhëna nga Shkalla e Parë.
Morina rezulton si i përfshirë në një grup kriminal që vepron në zonën në Krujës, ku sipas SPAK-ut, kujdesej për aktivitetin e kultivimit të drogës.
Këto indicie hetuesit i ngritën pasi administruan disa komunikime nga “Sky Ecc”.
Por në argumentet e parashtruara mbrojtësi i tij ligjor shprehet se Altin Morina nuk rezulton të këtë pasur “Sky Ecc”.
Sipas avokatit, në dosje nuk pasqyrohet një komunikim mes tij dhe Durim Bamit por ka vetëm fjalë që flasin në emër të klientit të tij.
Morina prej kohësh ishte në kërkim nga SPAK pasi nga momenti i lëshimit të urdhrave të ndalimit ai nuk u gjet në banesë.
Kanë qenë oficerët e Komisariatit nr. 2 në kryeqytet që e pikasën Altin Morinën duke i vendosur prangat me 4 prill të këtij viti.
Për këtë dosje Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet e ndërsa dosja është në gjykatë për anëtarët e 7 grupeve kriminale.
Këto personave vepronin në disa qytete si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli.
Në total u lëshuan 50 urdhër arreste dhe pothuajse gjysma e tyre u ekzekutuan brenda dhe jashtë vendit ndërsa disa të tjerë ishin të arrestuar për akuza të tjera.

