Milani përgatit “revolucionin kuqezi”! Conceiçao nën vlerësim, Gasperini dhe Sarri favoritë për stolin
Trajneri i Milanit ndonëse fitoi Superkupën dhe çoi ekipin në finalen e Kupës së Italisë, mbetet nën diskutim për të ardhmen. Klubi po shqyrton trajnerë italianë me përvojë për sezonin 2025/26, me Gasperinin dhe Sarrin në krye të listës. Në sfond mbeten edhe emrat e Allegrit, Contes, Mancinit dhe një rikthim i mundshëm, por i vështirë, i Ancelottit.
Sergio Conceição nuk ka bërë keq. I ardhur në mesin e sezonit, ai fitoi menjëherë Superkupën dhe e çoi Milanin në finalen e Kupës së Italisë, duke eliminuar Interin me një rezultat të thellë në gjysmëfinale. Megjithatë, pavarësisht këtyre sukseseve, çdo ditë flitet për pasardhësin e tij, gjë që tregon një mungesë stabiliteti dhe besimi nga klubi.
Milani duket i vendosur të ndërtojë një projekt të ri për sezonin 2025/2026. Drejtuesit janë duke zhvilluar një “casting” të dyfishtë: për trajnerin dhe, ndoshta për herë të parë në mënyrë serioze, edhe për një drejtor sportiv.
Fillimisht kërkimi dukej i përqendruar tek emrat e huaj, por tashmë klubi synon trajnerë italianë me përvojë dhe formim të fortë.
Në këtë kuadër, emri i Massimiliano Allegrit është gjithmonë në qarkullim për shkak të lidhjes së tij me klubin dhe faktit që është i lirë. Antonio Conte mbetet një alternativë, edhe pse aktualisht është i angazhuar me Napolin dhe nuk dihet e ardhmja e tij. Një tjetër profil serioz është Roberto Mancini, por së fundmi kanë dalë në pah dy emra kryesorë: Gian Piero Gasperini, që nuk pritet të rinovojë me Atalantën, dhe Maurizio Sarri, tashmë i lirë pas largimit nga Lazio.
Sarri, i cili është përmendur shpesh për stolin e Milanit në të kaluarën, shihet si një zgjedhje e arsyeshme për aftësinë që ka në ndërtimin e ekipeve pa shpenzime të mëdha dhe për lojën estetike që promovon. Ai ka fituar tituj si në Itali, ashtu edhe jashtë saj – përfshirë titullin kampion me Juventusin dhe Europa League me Chelsean.
Në horizont ekziston edhe ideja romantike e një rikthimi të Carlo Ancelottit, tani që është konfirmuar se nuk do të vazhdojë me Real Madridin dhe pas dështimit të marrëveshjes me Brazilin. Por konkurrenca nga Arabia Saudite dhe ofertat financiare që vijnë prej andej e bëjnë këtë pistë më shumë një ëndërr sesa një mundësi reale.

