Drejtori i ri sportiv i Milanit/ D’Amico, Tare, Paratici..., ngërçi nga i cili Giorgio Furlani nuk po arrin të dalë

Gjatë prezantimit të sponsorit të ri teknik këtë mëngjes, administratori i deleguar i Atalantës, Luca Percassi, përjashtoi mundësinë që drejtori sportiv Tony D’Amico të largohet nga klubi në fund të sezonit për t’u bashkuar me Milanin:

“Pavarësisht interesit të vërtetë apo të supozuar nga klube të tjera, ai do të ketë një detyrë të madhe edhe vitin tjetër për të ndërtuar një Atalantë konkurruese.

Ne jemi të kënaqur me të, ai është i kënaqur me ne dhe do të mbajë përgjegjësi të madhe. Na kanë mbetur edhe katër ndeshje dhe jemi të përqendruar vetëm te fundi i sezonit”.

Kështu që, ndryshe nga rasti i Gasperinit, ku do të diskutohet e ardhmja pas arritjes në Champions League, për D’Amicon Atalanta nuk ka ndërmend të heqë dorë, sidomos duke qenë se ai ka edhe dy vite të tjera kontratë.

Ky lajm nuk është i mirë për Milanin dhe për Giorgio Furlanin, i cili e kishte identifikuar drejtuesin e Atalantës si njeriun ideal për t’u futur në një strukturë drejtuese që është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u menaxhuar, për shkak të shumë mendjeve të forta që duan të kenë fjalën e fundit.

D’Amico përfaqësonte ndoshta profilin që pajtonte të gjitha palët dhe deklaratat e Percassit e kthejnë Milanin në pikën zero, pasi prej rreth dy muajsh po kërkon publikisht një drejtor sportiv pa gjetur ende zgjidhje.

Fabio Paratici ishte i preferuari i Gerry Cardinale-s, por pezullimi i tij deri në korrik e ka bllokuar çdo marrëveshje të menjëhershme, pavarësisht kontakteve të fundit.

Igli Tare ishte kandidati i preferuar nga Zlatan Ibrahimoviç, por i pëlqen shumë më pak Furlanit, i cili pas disa takimesh ballë për ballë nuk ka shtyrë përpara negociatat.

Tani, me deklaratat e Percassi-t për D’Amicon, që nëse nuk ndodh ndonjë përmbysje e pabesueshme, përjashtohet si mundësi, situata është edhe më e paqartë.

Për një arsye apo një tjetër, Milani nuk po arrin të emërojë një drejtor sportiv dhe për këtë arsye, në orët e fundit po fiton terren ideja që të vazhdohet me strukturën aktuale. Sikur asgjë të mos kishte ndodhur në dy muajt e fundit.

Një bllokim që shpjegon më së miri konfuzionin që prej shumë muajsh mbizotëron në klubin kuqezi.