YAMAL: NUK JAM MESI! 17-vjeçari: Bëj lojën time, nuk krahasoj
Lamin Yamal edhe pse 17 vjeç tashmë është një nga yjet e futbollit. Megjithatë i pyetur nga mediet shprehet se nuk e krahason veten me Leo Mesin, por preferon të jetë vetvetja
“Unë nuk krahasohem me askënd – e aq më pak me Messin,” tha Lamine Yamal, ylli 17-vjeçar i Barcelonës, në konferencën për shtyp të së martës, duke refuzuar çdo krahasim me legjendën argjentinase dhe duke e cilësuar atë si “lojtarin më të mirë në histori”.
I pozicionuar në të njëjtin krah ku për vite shkëlqeu Messi, Yamal theksoi se është i përqendruar te loja e tij dhe të shijojë momentin.
Barcelona do të përballet me Interin të mërkurën në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve, duke synuar të kualifikohet në finalen e madhe për herë të parë që nga viti 2015 – kur trofeu i fundit u fitua me Messin si lider.
Kjo është gjithashtu paraqitja e parë e katalanasve në këtë fazë që prej vitit 2019.
Ndeshja në “Camp Nou” do të luhet normalisht, pavarësisht ndërprerjeve të energjisë elektrike që kanë përfshirë Spanjën dy ditët e fundit. UEFA konfirmoi se situata nuk ka ndikim në organizimin e sfidës.
Yamal do të bëjë paraqitjen e 100-të me fanellën e Barcelonës nëse do të luajë ndaj Interit.
Ai vjen pas një performance mbresëlënëse në finalen e Kupës së Mbretit ku dha dy asiste në fitoren 3-2 kundër Real Madridit të shtunën.
Trajneri Hansi Flick tha se kjo fitore i ka dhënë skuadrës emocione pozitive dhe besim për të përballuar sfidën ndaj Interit: “Ishte një emocion i madh në fundin e ndeshjes kundër Realit. Këto janë momente që të shtyjnë përpara,” u shpreh ai.
Në portë do të jetë sërish Szczesny, edhe pse Marc-André ter Stegen është rikuperuar nga dëmtimi, konfirmoi Flick.
Barcelona kërkon rikthimin në majën e futbollit evropian dhe shpresat janë të mëdha – por për Yamal, gjithçka nis me të qenit vetvetja, jo Messi.


