Barcelona–Inter në statistika, gjigantët europianë përballen sërish në një klasike

Pas triumfit dramatik ndaj Real Madridit 3-2 pas kohës shtesë në finalen e Kupës së Mbretit, Barcelona hyn me moral të lartë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit.

Ky ishte titulli i 32-të i Kupës për katalanasit, një rekord historik që vjen në momentin e duhur për të përballuar italianët në këtë përplasje kontinentale.

Ky do të jetë takimi i 17-të ndërmjet dy klubeve në Evropë, ku Barcelona gëzon një bilanc pozitiv (8 fitore, 5 barazime, 3 humbje).

Kjo është hera e parë që ata takohen në një fazë me eliminim direkt që nga gjysmëfinalet e sezonit 2009/10, kur skuadra e José Mourinhos e eliminoi Barçën, megjithëse kjo e fundit fitoi 1-0 në ‘Camp Nou’.

Me formën aktuale dhe me faktin që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi këtë sezon në Champions (5 fitore, 1 barazim), Barcelona ka arsye për të besuar në një tjetër mbrëmje të madhe.

Nga ana tjetër, Interi vjen në këtë sfidë në një moment të vështirë.

Skuadra e Simone Inzaghit ka humbur formën në kampionatin italian, me një disfatë 1-0 ndaj Romës që i ka lënë tri pikë larg kreut dhe ka bërë që ekipi të mos fitojë në katër ndeshjet e fundit zyrtare (1 barazim, 3 humbje), duke mos shënuar në tri prej tyre.

Pas eliminimit nga Kupa e Italisë me një humbje të thellë 3-0 ndaj Milanit, edhe objektivi për të fituar dy trofe këtë sezon është në rrezik.

Megjithatë, Interi ka shkëlqyer në Ligën e Kampionëve, ku është i pamposhtur në gjashtë ndeshjet e fundit (5 fitore, 1 barazim), duke eliminuar Feyenoord-in dhe Bayern-in në fazat me eliminim.

Ata kanë fituar tri transfertat e fundit në këtë garë, por nuk kanë fituar në tokën spanjolle prej më shumë se 20 vitesh (3 barazime, 7 humbje).

Lojtarë për t’u ndjekur: Raphinha ka shënuar golin hapës në dy ndeshjet e fundit të Champions në shtëpi për Barcelonën dhe 6 nga 7 golat e tij europianë këtë sezon kanë ardhur para pushimit.

Benjamin Pavard gjeti rrugën e rrjetës për herë të parë me Interin në ndeshjen e kaluar evropiane kundër Bayern-it dhe ka një rekord të përsosur në Champions ndaj Barcelonës: 4 fitore, pa pësuar asnjë gol.

Statistikë interesante: Interi ka mbajtur portën e paprekur në 8 ndeshje të këtij sezoni në Champions – vetëm një më pak se rekordi italian, i mbajtur nga Juventusi dhe Milani.