Komisioni Evropian: Nuk ka datë specifike për takimin Von der Leyen-Trump
Komisioni Evropian ka reaguar dy ditë pasi u publikua lajmi se presidenti amerikan Donald Trump dhe presidentja e KE-së Ursula von der Leyen ranë dakord të takoheshin gjatë një bisede të shkurtër që patën në margjinat e funeralit të Papa Françeskut. Zëdhënësja e Komisionit në konferencën e sotme për shtyp, theksoi se nuk ka një datë specifike për takimin.
“Për momentin nuk kemi një datë specifike për një takim të tillë”, tha ajo teksa iu përgjigjur një pyetjeje përkatëse. Sipas saj, takimi do të zhvillohet në kohën e duhur, ndërsa tha se ajo ka një sërë çështjesh në tavolinë.
"Ne kryesisht po mendojmë për tarifat dhe ju e dini se janë duke u zhvilluar diskutime. Pra, kur të vijë koha e duhur për një diskutim dhe një marrëveshje në nivel të dy presidentëve, në nivelin më të lartë midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, atëherë do të jetë koha e duhur që ne të takohemi”, tha zëdhënësja.