''Pensionet dhe rrogat të jenë të barabarta me vendet e tjera të Ballkanit '', Berisha në Kuçovë: Të kthejmë kombin në moshën e rinisë së tij
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në Kuçovë, ku para qytetarëve prezantoi angazhimet e tij për të ardhmen e Shqipërisë.
Ai theksoi se 11 maji do të shënojë një fillim të ri për të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend.
Berisha premtoi se qeveria e PD do të ndërmarrë masa për të mbështetur qytetarët dhe për të rikthyer të rinjtë që kanë emigruar.
Ai garantoi minimumin jetik dhe pensionin minimal prej 200 euro për 100 ditët e para të qeverisjes dhe njoftoi mbështetje financiare për çiftet e reja, duke ofruar 30 mijë euro për të mbuluar interesat e kredive dhe një mbështetje të veçantë për ata që kanë fëmijën e tretë.
Për më tepër, Berisha nënvizoi se paga mesatare do të arrijë në 1200 euro, ndërsa paga minimale do të jetë 500 euro.
Ai theksoi se vetëm duke investuar tek rinia, Shqipëria mund të arrijë prosperitetin dhe zhvillimin që meriton.
Berisha: Të dashur qytetare dhe qytetarë të Kuçovës, banorë të këtij rrethi, mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh para jush dhe për ju, gra dhe burra, djem e vajza, njerëz të lirë të grumbulluar në këtë shesh, me vullnetin tuaj, pa asnjë lloj imponimi, por të vendosur të mbështesni programin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, me besimin se ky është projekti më i madh, më i mirë i paraqitur ndonjëherë në këto 32 vite në Shqipërisë.
I dashur Eno Bozdo, drejtuesi politik i qarkut të Beratit.
Kryetari i PD-së së Kuçovës.
Të dashur kandidate dhe kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues të Qarkut të Beratit dhe rrethit të Kuçovës, krenaria jonë jeni, krenaria e Kuçovës dhe Beratit dhe Shqipërisë.
Sonte do të më lejoni, do të ju kërkoj leje të përshëndes edhe ato qindra qindra, zonja e zonjushe, punonjëse të administratës, që të detyruara me regjistër, detyrohen të ndjekin dhe të ndigjojnë dokrrat me një fjalor ordiner të një njeriu i cili i ka ditët e numëruara.
Më lejoni ti garantoj se, për ato dhe për çdo njeri, çdo punonjës që zbaton ligjin dhe u shërben si shërbëtor qytetarëve shqiptar, do kemi nderimin më të madh dhe se me 11 maj merr fund njëherë e mirë, pjesëmarrja e detyruar në mitingje të ministrave apo kryeministrave, por sheshet do të jenë gjithnjë të qytetarëve të lirë, të djemve dhe vajzave, burrave dhe grave të lirë dhe kurrë me detyrim siç ndodh në këtë fushatë.
Miq!
Unë vij tek ju, për të paraqitur programin e PD-së dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore si programin më të mirë që është paraqitur ndonjëherë para shqiptarëve.
Sot në mëngjes e nisëm fushatën në Selanik.
Qindra, mijëra vëllezër, motra tona, erdhën të dëgjonin programin e partisë dhe të aleancës tonë, erdhën më të vendosur se kurrë për të votuar me 11 maj, shpëtimin e Shqipërisë, ndryshimin e madh për të votuar, ndarjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga një e keqe e madhe që po shkreton çdo javë, çdo muaj më shumë, Kuçovën, Beratin dhe Shqipërinë.
Më të vendosur se kurrë për të votuar me 11 maj, ndryshimin dhe ndarjen nga një e keqe që po i rrëmben kombit të ardhmen dhe rininë e tij.
Jam këtu sot dhe e garantoj Ledianin, bashkëmoshatarët e tij dhe të gjithë të rinjtë në këtë shesh dhe kudo që ndodhen se 11 maji shënon fillimin e ri, për çdo të ri, për çdo fëmijë, çdo vajzë dhe djalë që do, e dëshiron të ndërtojë ëndërrën e tij në Shqipëri.
Dëshiron të ndërtojë të ardhmen e tij në Shqipëri.
Po ne garantojmë të rejat dhe të rinjtë, fëmijët se shkollimi i tyre në një arsim modern, në shkolla të pajisura me teknologji më të mira, me cilësi më të lartë do të jetë objektiv kryesor, duke dyfishuar buxhetin për arsimin dhe se nuk do të ketë më mesatare si shpatë Demokleu që të pengojë ata të hyjë në universitete.
Përkundrazi dyert e universiteteve do të jenë të hapura dhe pas përfundimit, qeveria do të paguajë çdo sipërmarrës që punëson të rinjtë, 1 vit sigurime shoqërore për çdo të ri të punësuar.
Qeveria do të përcaktojë grante për çdo biznes dhe startup të të rinjve tanë.
Qeveria do të përcaktojë grante për çdo kredi, në mënyrë që çdo çift i ri të ketë një çati.
30 mijë euro për të mbuluar të gjitha interesat dhe më pas me fëmijën e tretë për ata që duan, qeveria do të paguajë vetë të gjithë kredinë.
Miqtë e mi, do të bëjmë gjithçka, do të bëjmë çdo gjë që të kthejmë nga emigracioni të rinjtë dhe të rejat që ikën, por dhe çdo emigrant që do të kthehet në Shqipëri.
Prova e jetës sonë, prova e forcës tonë, e vizionit tonë, është të kthejmë kombin në moshën e rinisë tij. Ky është qëllimi ynë.
Kombi, vetëm kombi në moshën e rinisë, është komb me të ardhme, është komb që zhvillohet është komb që begatohet gjithnjë e më shumë.
Të dashur miq!
Ky program siç e paraqitën edhe parafolësit e mi këtu, fillon me zemrën e dhimbsur. Fillon me dhemshurinë.
Ndaj dhe ne i japim fjalën e nderit, çdo pensionisti dhe pensioniste, çdo të papuni, çdo njeriu në ndihmë ekonomike, çdo fëmije me një prind, çdo studenti me bursë se 100 ditët e para do të kenë minimumin jetik, apo pensionin minimal, apo bursën 200 euro.
Se në 100 ditët e para në këtë vend, do të vendoset rroga minimale 500 euro dhe do të shkohet dhe rroga mesatare 1200 euro.
Miq, çfarë po bëjmë ne me këto. Nuk po bëjmë asgjë tjetër, veç po kthejmë tek ju paratë që marrim nga ju. Ato janë taksat tuaja, janë mundi juaj, janë djersa juaj, janë kafshata juaj që e paguani në çdo gjë.
Dhe çdo qeveri e përgjegjshme para jush, në Shqipëri apo në botë, ka detyrë që një pjesë të mirë të atyre që u merr të ua kthejë ju përsëri.
Miq, nuk dua të ndalem në vitet e shkuara, por një gjë u them; pikërisht për të zbatuar këtë detyrim ne dyfishuam rrogat në vitet 2006-2013.
Pikërisht për të zbatuar këtë detyrim moral, ligjor ne dyfishuam pensionet e vogla, ne rritëm me 60% pensionet mesatare, ne rritëm me 40% pensionet e larta.
Po miq, paratë janë të qytetarëve.
Në vitin 2013 ne arritëm duke zbatuar këtë parim, që qytetarët shqiptarë me rrogë shteti, pensionistët shqiptarë, të kenë rroga më të larta se sa të gjithë pensionistët e vendeve të tjera të Ballkanit, të kenë pensione më të larta. Po. Po.
Çfarë ndodhi në 12 vite?
Në 12 vite malazezët të cilët merrnin në vitin 2013, një pension prej 138 mijë lekë, ndërkohë kur pensioni mesatar në Shqipëri ishte 143 mijë lekë, sot marrin 450 mijë lekë pension.
Po pse marrin ata kaq? Sepse qeveria e Malit të zi, e përgjegjshme para qytetarëve të saj, në çdo buxhet u jep përqindjen e duhur qytetarëve.
Kosova një vend me një pavarësi pak vite më parë, para 3 muajsh Albin Kurti ndau 100 mln euro për pensionistët. 100 milionë dhe u tha se, çdo pensionistë do të ketë pension 20% më të lartë.
Po kështu rrogat minimale. Në vitin 2013, Rumania që sot është anëtare e BE-së, edhe në atë kohë ishte, kishte një rrogë minimale 830 lej, afërsisht 164 euro. Sot sa e ka? E ka 3300 lej, e ka dy herë më të madhe se ne. Në vitin 2013 e kishim 220 euro rrogën minimale.
Po pse? Sepse qeveria i ndan paratë, u kthen paratë atyre që ua merr.
Si mundet? Të lumtë goja, i kanë vjedhur tek pensionistët, tek rrogëtarët. Kjo është e vërteta.
Ndaj dhe ne, kemi vendosur të rrisim rrogat, të rrisim pensionet dhe vrapi ynë nuk ndalet gjersa çdo qytetar i këtij vendi, çdo pensionist i këtij vendi të ketë rrogën dhe pensionin më të lartë se, çdo bashkëmoshatar i tij në vende të tjera të Ballkanit.
Ky është zotimi ynë para jush.
Çfarë bënë këtë zotërinjtë, kjo qeveri çfarë bëri?
Kjo qeveri vetëm këtë vit, vuri përpara taksat tuaja 8 miliardë euro. Dhe Edi Rama kishte përcaktuar dhe la gjithsej 16 mln euro për pensionistët.
Kur ne i paraqitëm ligjin për minimumin jetik 200 euro, jo tha, kjo na çon në greminë. Po në çfarë gremine na çon ajo? A ka gjë më të pashpirtë se të lësh për 870 mijë qytetarë të tu, 16 mln euro?
Merr fund kjo, e tha bukur qytetari, ata kanë vjedhur pensionet, kanë vjedhur miliarda nga pensionet tuaja dhe pastaj thonë se, po ti rrisim biem në greminë. Gremina i pret për atë që kanë bërë.



