Ushtria indiane raporton për shkëmbim zj*rri për të dytën ditë radhazi me Pakistanin
Tensionet në vijën e kontrollit (LOC) që ndan Indinë dhe Pakistanin në rajonin e kontestuar të Kashmirit janë rikthyer fuqishëm, teksa ushtria indiane raportoi shkëmbim zjarri për natën e dytë me radhë me forcat pakistaneze.
Sipas një deklarate zyrtare të ushtrisë indiane, trupat pakistaneze hapën zjarr të paprovokuar me armë të vogla nga disa pozicione gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës.
Si përgjigje, forcat indiane deklarojnë se kanë reaguar ‘në mënyrë të përshtatshme’. Nuk raportohen viktima.
Deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet pakistaneze për incidentin e fundit.
Megjithatë, të dyja palët kanë pranuar shkëmbime zjarri edhe natën e kaluar, duke ngritur shqetësime për një përshkallëzim të mundshëm në një nga zonat më të ndjeshme gjeopolitike në botë.
Marrëdhëniet mes dy vendeve të armatosura me armë bërthamore, janë në një nga pikat më të ulëta të dekadës së fundit.
Tensionet janë rritur ndjeshëm pas një sulmi të përgjakshëm në Kashmirin e administruar nga India, ku të martën u vranë 26 civilë, sulmi më vdekjeprurës ndaj popullatës civile në rajon në më shumë se 25 vjet.
Qeveria e Indisë ka akuzuar Pakistanin për mbështetje të ‘terrorizmit ndërkufitar’, duke e lidhur ngjarjen me grupet militante që operojnë përtej kufirit.
Islamabadi i ka hedhur poshtë këto akuza, duke i quajtur ‘të pabaza dhe të papërgjegjshme’, dhe ka mohuar çdo përfshirje në ngjarjet në Pahalgam.
