Interesi i të huajve për tregun britanik të punës bie në fillim të vitit 2025, amerikanët përjashtim, në rritje për shkak të politikave të Trump

Interesi ndërkombëtar për tregun britanik të punës ka shënuar një rënie të ndjeshme në tremujorin e parë të vitit 2025.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjashtim nga ky trend, duke regjistruar rritjen më të madhe të interesit për vende pune në Mbretërinë e Bashkuar, një zhvillim që ekspertët e lidhin ngushtë me kthimin e Donald Trump në presidencë.

Sipas të dhënave nga platforma e punësimit Indeed, vetëm 3.8% e kërkimeve për punë në Mbretërinë e Bashkuar në periudhën janar–mars 2025 vinin nga jashtë vendit, në rënie nga 5.7% në shtator 2024 dhe shumë më poshtë se niveli më i lartë prej 6.3% në shtator 2023.

Ky nivel është gjithashtu nën mesataren prej 4.2% që nga fillimi i vitit 2019.

Ekonomisti kryesor i Indeed, Jack Kennedy, tha për Euronews se kjo rënie mund të pasqyrojë një treg të ftohtë pune në Britani, i cili po performon më dobët se ekonomitë e tjera të krahasueshme, si dhe ndikimin e vazhdueshëm të politikave më të ashpra të emigracionit.

Megjithëse India mbetet vendi me përqindjen më të lartë të interesit të huaj për punë në MB (11.3%), Shtetet e Bashkuara renditen në vend të dytë me 8.5%, duke regjistruar një rritje prej 2.4 pikë përqindjeje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. India, pavarësisht një rënieje të ndjeshme prej 5.2 pikë përqindjeje, ruajti pozicionin e parë.

Ekspertët lidhin rritjen e interesit nga SHBA me politikat e administratës Trump. Dr. Michael Plouffe nga University College London (UCL) tha për Euronews se “duket se ekziston një lidhje mes politikave të administratës dhe rritjes së interesit të amerikanëve për të emigruar dhe për të kërkuar punë jashtë vendit”.

Ai theksoi se shkurtimet dramatike në financimin federal për kërkime shkencore po i shtyjnë studiuesit amerikanë të kërkojnë mundësi më të qëndrueshme jashtë SHBA.

Sipas Dr. Katie Pruszynski nga Universiteti i Sheffield-it, rritja e interesit për punësim në MB dhe BE gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 ka të ngjarë të jetë rezultat i një sërë faktorësh që burojnë nga trazirat politike dhe shoqërore të shkaktuara nga administrata e dytë e Trump.

“Gjuha e përbashkët dhe ngjashmëritë kulturore e bëjnë Mbretërinë e Bashkuar një mundësi tërheqëse për amerikanët,” tha ajo.

Ndërsa Bernd Parusel nga Instituti Suedez për Studime të Politikave Evropiane shtoi se shumë studiues po rrezikojnë të humbasin vendet e tyre të punës dhe të tjerë frikësohen nga ndërhyrjet politike në punën e tyre kërkimore.

“Punonjës të kualifikuar të sektorit publik po pushohen si pasojë e politikës për ‘efikasitet qeveritar’ të Trump, çka mund të sjellë një ‘brain drain’ nga SHBA,” u shpreh Parusel.

Ai shtoi se rregullat e emigracionit në Evropë nuk janë pengesë e madhe për qytetarët amerikanë dhe se shumë vende evropiane kanë avantazhe për punëtorët nga SHBA, përfshirë koston më të ulët të jetesës dhe sistemet falas të mirëqenies.

Një sondazh i revistës Nature me mbi 1,600 shkencëtarë amerikanë tregon se 75% prej tyre po shqyrtojnë largimin nga SHBA, kryesisht drejt Evropës dhe Kanadasë.

Ndërkohë, rënia e interesit të huaj për punë në MB është më e theksuar në sektorët me paga të larta si inxhinieria, teknologjia dhe kujdesi shëndetësor – pavarësisht se këto profesione përmbushin kriteret për vizat e punës për punonjës të kualifikuar.

Inxhinieria elektrike dhe zhvillimi i softuerëve pësuan rënien më të madhe vjetore prej 3.9 pikë përqindjeje secila, megjithatë ato mbeten profesione me interes të lartë nga të huajt, duke përfaqësuar 16% dhe 22% të klikimeve përkatësisht.

Sektorë të tjerë si IT, inxhinieria kimike dhe ajo civile, gjithashtu shënuan rënie, por mbeten me përqindje të larta të interesit të huaj.