“Rusia gati për pajtim”, Lavrov: Paqja varet nga të tjera çështje! Reagojnë ndërkombëtarët mbi negociatat
Rusia ka shprehur gatishmërinë për të arritur një marrëveshje paqeje me Ukrainën, duke theksuar se disa çështje kërkojnë ende rishikim për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme. Pas kritikave për sulmet e fundit, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov sqaroi se qëllimi i Rusisë nuk ishte sulmi ndaj civilëve, por ndaj objektivave ushtarakë.
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka deklaruar se Rusia është e gatshme për të arritur një marrëveshje paqeje me Ukrainën, duke theksuar se disa aspekte ende kërkojnë një shikim të hollësishëm për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme.
Lavrov theksoi se Kremlini nuk ka si qëllim të sulmojë civilët, por vetëm objektivat që janë të lidhura me ushtrinë e Ukrainës, bazat ushtarake apo zonat ku janë të stacionuar ushtarët, duke iu përgjigjur kritikave për sulmet e ditëve të fundit.
Ai shprehu shpresën për një zgjidhje paqësore, duke theksuar se presidenti amerikan Donald Trump, po ecën në drejtimin e duhur për bisedimet e paqes.
Sinkron Ne vazhdojmë të kemi kontakte me palën amerikane për situatën në Ukrainë dhe ka disa shenja se po ecim në drejtimin e duhur. Para së gjithash, sepse presidenti Trump është ndoshta i vetmi lider në Tokë që njeh nevojën për të adresuar shkaqet rrënjësore të kësaj situate.
Presidenti amerikan nuk ka deklaruar se çfarë presioni specifik po i bën Vladimir Putinit në negociatat e paqes. Por, sipas raportimeve, Shtëpia e Bardhë po punon për një plan prej shtatë pikash që tashmë është refuzuar nga Presidenti Zelensky.
Plani do të kërkonte lëshime të mëdha nga Ukraina, duke përfshirë Krimenë që është një vijë e kuqe e madhe për Kievin.
Ka gjithashtu disa çështje që mbeten të padakorduara edhe nga Moska. Rusia nuk do që t'ia dorëzojë SHBA-ve termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, të cilin aktualisht e zotëron.
Nga ana tjetër rreth këtyre çështjeve ka reaguar Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, i cili ka mbështetur të drejtën e Ukrainës për të vendosur kushtet e saj për çdo marrëveshje paqeje, duke thënë se është e papranueshme që të tjerët të vendosin në emër të Kievit.
Për sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përgjegjësia për arritjen e një marrëveshjeje paqësore tani është në duart e Rusisë, duke theksuar se topi është në fushën e Kremlinit, dhe se Ukraina po bën përpjekje të mëdha për të ecur përpara.

