Kongo dhe Ruanda, marrëveshje në SHBA për paqen. Mes bisedimeve, edhe mineralet

Kongo dhe Ruanda planifikojnë të nënshkruajnë një marrëveshje në Uashington të premten për të promovuar paqen dhe zhvillimin ekonomik, thanë burimet për Reuters, pjesë e një shtytjeje diplomatike për t'i dhënë fund dhunës, pas një avancimi nga rebelët e mbështetur nga Ruanda në Kongon lindore.

Marrëveshja ngjall shpresa se cikli i fundit i dhunës në një konflikt dhjetëvjeçar të rrënjosur në gjenocidin e Ruandës mund të lehtësohet, me të dyja vendet që shpresojnë të tërheqin investime të rëndësishme të SHBA-së në minerale.

Megjithatë, thirrjet e mëparshme për armëpushim nuk kanë prodhuar një ndërprerje të qëndrueshme në luftime.

Ministrat e jashtëm të të dy vendeve pritet të nënshkruajnë,  ku i pranishëm do të jetë edhe Sekretari i Shtetit të SHBA, Marco Rubio.

Uashingtoni është në bisedime për të investuar miliarda dollarë në minerale në Kongo, e cila ka depozita të mëdha të bakrit, kobaltit dhe litiumit, të përdorura në telefonat celularë dhe makinat.

Ruanda tha këtë javë se po fliste gjithashtu me Uashingtonin, për një marrëveshje të mundshme mineralesh.

Kongo ka parë një rritje të dhunës pasi rebelët M23 të mbështetur nga Ruanda, nisën një ofensivë të madhe në janar që çoi në kapjen e dy qyteteve më të mëdha në lindje.

Kombet e Bashkuara dhe qeveritë perëndimore thonë se Ruanda ka ofruar armë dhe trupa për M23.

Ruanda mohon mbështetjen e M23 dhe thotë se ushtria e saj ka vepruar në vetëmbrojtje kundër ushtrisë së Kongos dhe një milicie të themeluar nga autorët e gjenocidit të vitit 1994.

Si Katari ashtu edhe SHBA-ja kanë treguar interes për ndërmjetësimin e një rezolute.

Katari në mars ndërmjetësoi një takim të befasishëm midis presidentit kongolez Felix Tshisekedi dhe homologut të tij ruandez Paul Kagame, gjatë të cilit të dy udhëheqësit bënë thirrje për një armëpushim.

Katari ka pritur gjithashtu bisedime midis Kongos dhe M23, dhe këtë javë të dy palët lëshuan një deklaratë,  duke u zotuar të punojnë drejt paqes dhe duke deklaruar një "angazhim për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive".

'SHUMË E GJERË'

Një burim diplomatik tha se marrëveshja që do të nënshkruhet të premten, synon të nxisë një "rrugë drejt paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të integruar ekonomik" në Kongon lindore dhe "rifillimin e marrëdhënieve normale dypalëshe".

Një burim tjetër i informuar mbi marrëveshjen tha se ajo kishte për qëllim të ndërtonte besimin e investitorëve.

Ajo përbën "një deklaratë parimesh - objektiva shumë të gjera për të punuar", tha një burim diplomatik.

"Të dyja palët do të finalizojnë specifikat brenda disa muajsh dhe më pas, shpresojmë se do të nënshkruhet një marrëveshje paqeje."

Administrata Trump ka treguar një interes të veçantë për Kongon, që kur një senator kongolez kontaktoi zyrtarët amerikanë për të arritur një marrëveshje minerale për siguri këtë vit.

Uashingtoni dëshiron një akses më të madh, në mineralet që aktualisht shfrytëzohen kryesisht nga Kina dhe kompanitë e saj minerare.

Departamenti i Shtetit ka thënë se SHBA është e interesuar për një marrëveshje dhe pret që çdo marrëveshje mbi mineralet, të përfshijë një sërë partnerësh të sektorit privat.

Tashmë i pozicionuar për të mbështetur një partneritet,  Erik Prince është mbështetësi i shquar i Trump, i cili ra dakord në fillim të këtij viti për të ndihmuar Kongon të sigurojë dhe taksojë pasurinë e saj të madhe minerale.