Kalifornia, forcë e 4 ekonomike! Shteti amerikan kalon Japoninë renditet pas SHBA, Kinës, Gjermanisë

Ekonomia e Kalifornisë ka tejkaluar atë të Japonisë, duke u bërë forca e katërt më e madhe ekonomike në botë, falë zhvillimit të fuqishëm në industri, teknologji dhe bujqësi. Por Guvernatori Gavin Newsom shpreh shqetësim për ndikimin negativ të tarifave tregtare të Presidentit Trump, të cilat rrezikojnë këtë përparim.

Ekonomia e Kalifornisë ka tejkaluar Japoninë, duke e bërë këtë shtet amerikan forcën e katërt më të madhe ekonomike globale, pas SHBA-së, Kinës dhe Gjermanisë.

Sipas të dhënave nga FMN dhe Byroja Amerikane e Analizës Ekonomike, PBB-ja e Kalifornisë arriti në 4.10 trilionë dollarë në vitin 2024, ndërsa ajo e Japonisë ishte 4.01 trilionë.

Guvernatori Gavin Newsom e quajti këtë sukses një tregues se Kalifornia “po vendos ritmin në botë”. Megjithatë, ai shprehu shqetësim për ndikimin e tarifave tregtare të vendosura nga Presidenti Donald Trump, të cilat, sipas tij, rrezikojnë përparimin ekonomik.

Kalifornia ka industrinë më të madhe prodhuese dhe bujqësore në SHBA, është qendra e teknologjisë dhe industrisë së argëtimit, si dhe ka dy portet më të mëdha të vendit. Rritja e saj ekonomike është më e shpejta në mesin e fuqive të mëdha ekonomike.

Trump ka vendosur tarifa të larta mbi importet nga shumica e vendeve, përfshirë një luftë tregtare me Kinën, me tarifa deri në 145% për mallrat kineze, dhe kundërpërgjigje nga Kina me tarifa 125% ndaj produkteve amerikane.

Newsom, një demokrat dhe kandidat i mundshëm për president më 2028, ka sfiduar ligjërisht autoritetin e Trump për vendosjen e këtyre tarifave. Ai theksoi se ekonomia e Kalifornisë është themel i fuqisë kombëtare dhe duhet mbrojtur nga politikat e pamatura federale.

Ndërkohë, ekonomia e Japonisë po përballet me vështirësi për shkak të plakjes së popullsisë dhe rënies së fuqisë punëtore, çka ka çuar në ulje të parashikimeve për rritje nga FMN.