Tokat në bregdet të Olta Xhaçkës fusin “në sherr” SPAK-un me GJKKO-në. Ankimohet vendimi për procedim penal
Pasi Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK-un të regjistrojë procedim penal për ish-ministren Olta Xhaçka dhe për bashkëshortin e saj Artan Gaçi, organi i Akuzës ka ankimuar vendimin në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion.
Organi i Akuzës ndër të tjera sqaron se asnjë e dhënë e sipërfaqeve konkrete nuk ka rezultuar në lidhje me përfitimin e trojeve të sekuestruara apo konfiskuara për shkak të detyrës që ushtronte në atë periudhë subjekti i posaçëm Olta Xhaçka.
Në ankimin që SPAK ka depozituar në Apel, thotë se çështja e hetuar më herët nga prokuroria ka kaluar në filtrin e Gjykatës së Posaçme gjatë gjykimit të çështjes penale nr.189/2023 në seancë paraprake.
Sipas prokurorit Ols Dado, Gjykata nuk ka gjetur asnjë shkak, veçanërisht nga ato që ankuesi shtetasi Fredi Beleri parashtron, për të konkluduar se hetimet paraprake nuk ishin të plota, duke urdhëruar për pasojë plotësimin e tyre.
Në 28 shkurt, GJKKO urdhëroi SPAK-un të hetojë Artan Gaçin për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave”, “pastrim parash” kryer në bashkëpunim dhe Xhaçkën për “shpërdorim detyre”.
Seanca në Apel mbahet këtë të premte, teksa ankimi i SPAK-ut do shqyrtohet nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila ose do pranojë kërkesën e prokurorit Dado, ose do lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë për nisjen e hetimeve.

