Fushata në optikën e KRIIK, Taulla: Palët qëllimisht pa përmbajtje, gjuhë diskriminuese. Ja si po përdoret administrata
Teksa fushata zgjedhore ka hyrë në periudhën e saj të nxehtë kanë nisur të shfaqen dhe problemet e para.
Në këndvështrimin e ekspertit të zgjedhjeve nga KRIIK Albania, Dritan Taulla kemi të bëjmë me një fushatë larg interesit të qytetarëve, ku më shumë kemi fjalime populiste nga liderët dhe jo të përqendruara në një arsyetim racional.
“Një fushatë me një gjuhë denigruese dhe përçarëse ku mungojnë diskutimet dhe debatet mbi platforma mes palëve politike.
Gjuha që po përdoret fatkeqësisht është në raport me atë që kemi parë në fushatat e kaluara.
Ne kemi vënë re se ndaj liderit të opozitës ka një diskriminim të moshës së tij. po ashtu do të veçoja nga ana tjetër komentet negative të kryeministrit qoftë ndaj burrave, qoftë ndaj personave të spektrit autik.
Dhe duke përdorur elementë të tillë, fushata shfokusohet nga problemet konkrete siç janë llogaridhënia, apo programet politike. Pra, është një fushatë e bazuar në formë dhe jo në përmbajtje, por me ndryshimin e vetëm se po hiqet zgjedhësi nga fokusi që është dhe elementi kryesor i zgjedhjeve”, u shpreh Dritan Taulla në intervistë për “Ora News”.
Po ashtu, eksperti i monitorimit zgjedhor u shpreh se një tjetër problem mbetet përdorimi i administratës në fushatë, ku e gjitha lind që nga rubrika e kryeministrit Edi Rama “Sy më sy”, i cili përdor zyrën e shtetit për të bërë fushatën e tij zgjedhore, e për të shkuar më tej tek përdorimi i punonjësve të administratës për të mbushur sallat e takimeve elektorale.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME EKSPERTIN E KRIIK, DRITAN TAULLA

