Rama-të rinjve: Mund të realizoni kapërcimin e Shqipërisë në BE ashtu si gjenerata ’90 drejt lirisë

Kryeministri, njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi një takim me votues për herë të parë në Belsh ku theksoi rëndësinë e votës së 11 majit, duke e konsideruar këtë datë si një mundësi historike për Shqipërinë dhe për të rinjtë shqiptarë.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se qytetarët e Shqipërisë, veçanërisht ata që janë pjesë e brezit të ri, kanë mundësinë të bëhen pjesë e një momenti historik, që nuk është thjesht për Partinë Socialiste, për qeverinë apo për deputetët, por për të gjithë shqiptarët.

Ai theksoi se ky mision është një përpjekje për të realizuar diçka më të madhe dhe më të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe të brezave të ardhshëm.

“Jeni ata që punoni çdo ditë për të përcjellë mesazhin tonë dhe për të siguruar një fitore më 11 maj, jo për mua, jo për deputetët, por për të përmbushur një mision historik, që nuk është vetëm i yni, por pjesë e një misioni të gjeneratave të tëra,” tha ai.

Kryetari i PS-së theksoi se është e domosdoshme që rinia të bashkohet për të realizuar këtë qëllim të madh, i cili do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e tyre dhe të ardhmen e vendit.

“Për të rinjtë, ky është një moment që ndodh një herë në histori. Nuk vjen çdo ditë, çdo vit, apo në çdo zgjedhje, mundësia për të qenë pjesë e një historie kaq të rëndësishme, një histori që është edhe historia e vendit tuaj,” tha Rama.

Ai bëri një krahasim me vitet ’90, kur Shqipëria kaloi nga diktatura në liri.

“Nëse gjenerata e vitit ’90 pati mundësinë të bëj një kapërcim të madh nga diktatura në liri, ju keni mundësi të realizoni kapërcimin tjetër të madh, nga Shqipëria gjeografikisht në Europë në Shqipërinë në Bashkimin Europian. Janë 2 Shqipëri të ndryshme, për ju në radhë të parë”, tha Rama.

Rama theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të sjellë mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë, duke hapur dyer për lëvizje të lirë, mundësi punësimi, arsimimi dhe zhvillimi të biznesit.

“Në momentin që hyjmë në BE, nuk jemi më thjesht qytetarë të Shqipërisë. Nuk jeni më thjeshtë europianë të lindur e rritur në mes të Europës, por që kalojnë nëpër kontrolle e për të qëndruar atje nevojitet të kërkoni azil. Keni mundësinë të lëvizni dhe të jetoni në çdo vend të Europës, të punoni dhe të kontribuoni në një hapësirë shumë më të gjerë, pa kufizime”, shtoi ai.

Ai theksoi gjithashtu se për ata që mund të mos kenë interes për lëvizje jashtë Shqipërisë, ky proces do të sjellë gjithashtu përfitime të mëdha për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.

“Që do të thotë që me votën e 11 majit Shqipëria merr fuqinë të bëhet e madhe sa BE dhe që për të gjithë qytetarët shqiptarë, për të rinjtë së pari, të jetë po aq e natyrshme e e përditshme mundësia për të shkuar nga një cep i Europës në tjetrin, njëjtë si të lëvizësh brenda një qyteti”, theksoi Rama.