"Fyerje për dikë me 20 vite karrierë"/ Vezaj: Rasti Qyno ngriti shqetësime serioze për të drejtat e gazetarëve në Shqipëri

I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", nëpërmjet një lidhje të drejtpërdrejtë në "Skype" nga SHBA-ja ishte gazetari Flamur Vezaj, i cili rikujtoi momentin e ndalimit të gazetarit Elton Qyno nga SPAK dhe e cilësoi këtë si një precedent të rrezikshëm që cënon thelbësisht lirinë e medias dhe punën e gazetarëve investigativë në vend.

" 496 ditë më parë, bashkë jemi lidhur në darkë, kur Elton Qyno ka qenë brenda ambjenteve të SPAK-ut i izoluar pa asnjë vendim gjykate e pa asnjë shkresë.

Që atë natë e kam cilësuar që ky është një precedent i rrezikshëm i cili minon punën e çdo gazetari dhe vetëm pak orë më mbrapa vetë Prokuroria e SPAK-ut bëri në një deklaratë që për mendimin tim ishte skandalozja tjetër e cila e nxorri zbuluar atë se çfarë bënte. Thanë që po kërkonin burimin e informacionit.

Që këtu gjithçka ka marrë fund. Nuk është dhe nuk ka qenë ai institucion i cili duhet t'i marrë burimin e informacionit një gazetari pa hetuar vetë njerëz sepse e dime që Qyno nuk ka nxjerr asnjë material të shpikur nga ana e tij, të renditur nga ana e tij të pavërtetë, qoftë dhe prurja e SPAK-ut nuk e ka vënë në dyshim besueshmërinë e atij shkrimi por thjesht kanë thënë që kjo nuk është në interes të publikut, duke marrë detyrat e kryeredaktorit të një medieje, apo duke marrë detyrat e një profesori etike apo gazetareske. Ti shpjegosh Elton Qynos pas 20 vitesh karrierë në gazetari se cili është lajm dhe cili nuk është lajm, kjo është një fyerje për Qynon dhe për të gjithë kolegët e kronikës të cilët çdo ditë kanë shkruar se çfarë ka ndodhur", u shpreh Vezaj.