Kushtetuesja në krah të Elton Qynos, Asociacioni i Gazetarëve: Duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre, pa frikë nga presioni për të zbuluar burimet

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi SPAK për rastin e gazetarit Elton Qyno.

Në reagim AGSH thekson se ky është një sinjal i qartë për institucionet e drejtësisë, duke kujtuar se në çdo shoqëri demokratike, gazetarët duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre pa frikë nga presioni për të zbuluar burimet.

Asociacioni shprehet se mbetet i angazhuar në mbrojtjen e çdo gazetari dhe në promovimin e një ambienti mediatik të lirë, të pavarur në vend. 

"Mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çështjen Elton Qyno. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë përshëndet vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila me një vendim unanim konfirmoi se sekuestrimi i të dhënave kompjuterike të gazetarit Elton Qyno ka përbërë shkelje të lirisë së shprehjes dhe të të drejtës themelore të gazetarëve për të mbrojtur burimet e tyre të informacionit.

Ky vendim përbën një precedent të rëndësishëm kushtetues dhe një sinjal të qartë për institucionet e drejtësisë që liria e medias dhe mbrojtja e burimeve nuk janë privilegje, por të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Asociacioni rithekson se në çdo shoqëri demokratike, gazetarët duhet të jenë të lirë të kryejnë detyrën e tyre pa frikë nga ndërhyrjet shtetërore apo presioni për të zbuluar burimet. AGSH mbetet e  angazhuar në mbrojtje të çdo gazetari dhe në promovimin e një ambienti mediatik të lirë, të pavarur dhe të sigurt në Shqipëri", thuhet në reagim.