Spiropali: Kamzën e gjetëm kënetë, sot kopshte e shkolla si në qendër të Tiranës
Kryeministri dhe njëherazi Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, po zhvillon një takim me gratë dhe vajzat e Kamzës.
Në këtë takim, Kryeministri Rama shoqërohet nga Elisa Spiropali, bashkëdrejtuese politike e PS-së në Tiranë, po ashtu nga Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, si dhe nga kandidatet për deputete të PS që përfaqësojnë bashkinë e Kamzës. Gjithashtu në takim e pranishme është dhe Deputetja e PS, Lindita Nikolla.
Takimi është pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PS-së, Rama, ka vendosur në fokus të kësaj fushate vajzat dhe gratë, duke theksuar rëndësinë e tyre në shoqërinë shqiptare, si dhe në vendimmarrjen brenda Partisë Socialiste dhe qeverisë që ai drejton.
Takimi u hap me këngën zyrtare të fushatës të kënduar nga Noizy, teksa më tej vijoi me valle popullore tradicionale të vendit tonë. Në fjalën e saj, Deputetja e PS, Lindita Nikolla tha se 11 maji është një ditë takimi me historinë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
“Ne do të forcojmë radhët tona për pasaportën evropiane të nipërve dhe mbesave tona. Të dashura gra dhe motra të Kamzës, do të jemi derë më derë për të marrë zemrën e çdo nëne dhe për të shkruar me zemër mesazhin e Shqipërisë evropiane në çdo familje të Kamzës”, tha Nikolla.
Ndërkohë, Elisa Spiropali, bashkëdrejtuese politike e PS në qarkun e Tiranës, tha: “Në 2020 këtu nuk kishte një pedonale, por një kanal të madh, në të cilin ishin rritur vajzat dhe djemtë e këtij vendi, prindërit e të cilëve erdhën këtu për një shpresë dhe vetëm me mund e punë ja dolën. Ne vumë votën e përbashkët, ne i besuam PS, Rakip Sulit dhe sot Kamza është ndryshe, Paskuqani nuk njihet, Valias po ashtu, Bathorja ka ndryshuar dhe Kamza është transformuar. Kudo ku kemi vënë dorë, kemi bërë transformim rrënjësor për vajzat dhe djemtë e këtij vendi. Ne nuk e kemi bërë këtë për veten tonë. Prandaj, gratë dhe vajzat na mbështesin këtu në Kamëz. PS nuk ka qenë partia e grave dhe vajzave, pasi ishte e mbyllur si parti, pavarësisht përpjekjeve. Por sot, PS është absolutisht e ndryshuar, pasi ka fytyrën e grave dhe vajzave dhe të rinjve, ka fytyrën e grave dhe vajzave në Bashkinë e Kamzës, ku janë 70%, në këshillin bashkiak janë 50% gra dhe vajza, të cilat punojnë për këto transformime”, tha Spiropali.
“Po punojmë për një realitet të ri social dhe Kamza është shembulli i kësaj”, shtoi ajo.
Spiropali tha se kopshtet dhe shkollat që ka parë në Kamëz, janë si në qendër të Tiranës. Ajo po ashtu renditi politikat mbështetëse për gratë dhe vajzat të ndjekura nga PS teksa dhe rreshtoi dhe disa prej investimeve të realizuara ne Kamëz.
Drejtuesja Politike e PS për Tiranën shtoi se të gjithë duhet të jenë bashkë përtej ndasive për të realizuar objektivin historikë për Shqipërinë në BE në vitin 2030.
