Napoli fiton ndaj Monzas dhe ndjek 'këmba-këmbës' Interin
Napoli ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Monzës me rezultatin 0-1, në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Serisë A.
Me këtë triumf, skuadra e drejtuar nga Antonio Conte barazon Interin në krye të klasifikimit, duke vazhduar të ushtrojë presion të fortë ndaj kampionëve në fuqi.
Pjesa e parë ishte mjaft e vështirë për napolitanët, të cilët u vendosën shpesh nën presion nga vendasit dhe rrezikuan disa herë të pësonin gol.
Monza u shfaq më e organizuar dhe e vendosur në 45 minutat e para, por mungesa e konkretizimit në sulm e la ndeshjen të hapur.
Në pjesën e dytë, Conte vendosi të hidhte në fushë Giacomo Raspadorin dhe ky vendim rezultoi vendimtar.
Pikërisht ai dha asistin për golin e fitores, të shënuar nga mesfushori skocez Scott McTominay, që është kthyer në një nga pikat më të forta të skuadrës në këtë fazë të sezonit.
Fitorja jo vetëm që i jep Napolit tri pikë të çmuara në garën për titull, por rrit edhe më shumë tensionin për Interin, që tani ka presionin për të reaguar në sfidën e radhës kundër Bologna-s.
Nga ana tjetër, skuadra e Monzës, e drejtuar nga Alessandro Nesta, duket se po humbet çdo shpresë për mbijetesë, pasi kjo humbje e afron edhe më shumë me një rikthim në Serinë B.
Me pak javë të mbetura deri në fund, situata për ta është bërë tepër e komplikuar.
