Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës/ Dritan Rexhepi nuk pranon të dëshmojë në gjyqin ndaj Altin Hajrit

Dritan Rexhepi ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore për të mos dëshmuar në procesin gjyqësor ndaj Altin Hajrit, që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Hajri po gjykohet në mungesë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, një ngjarje e rëndë që tronditi opinionin publik.

Rexhepi, i cili është i përfshirë në një proces paralel për të njëjtën ngjarje, u paraqit në sallën e gjyqit si i bashkëpandehur në një çështje të lidhur.

I pyetur nga trupi gjykues nëse pranon të japë dëshmi, ai zgjodhi të mos dëshmojë.

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe Aldo Majnishta, një tjetër i pandehur për këtë çështje, i cili gjithashtu refuzoi të dëshmojë.

Për shkak të mungesës së dëshmive dhe të disa personave të thirrur, seanca u shty për në datën 12 maj, kur pritet të përsëriten thirrjet për familjarët e Jan Prengës, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë.

Gjykata synon të sigurojë dëshmitë e tyre si pjesë e procesit hetimor.